E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, përpjekjet e fundit për mbështetje ndërkombëtare

Para se të ulet në tryezën e bisedimeve me mazhorancën, Edi Rama, kreu i PS-së, po bën dhe një tentativë të fundit për të “lypur” mbështetje ndërkombëtare për qëndrimet e tij politike. Në një vizitë që pritet të bëhet këtë javë, Rama mësohet se do të qëndrojë në Bruksel pranë zyrave të Komisionit Evropian dhe në SHBA. Nuk ka konfirmime zyrtare nga PS për rangun e takimeve që do të ketë kryesocialisti, por nuk pritet që të jenë të rangut të lartë. Ashtu si në vizitën e para disa muajve, ku në Bruksel nuk e priti në takim zyrtar komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, këtë herë një takim i tillë bëhet dhe më i vështirë për shkak të kushteve ku ndodhet Komisioni Evropian, i cili pritet të riformatohet me komisionerët e rinj që janë në proces votimi në Parlament, ndërkohë që të vjetrit po bëjnë gati valixhet këto ditë. Në këto kushte, Rama edhe sikur të ekzistonte dëshira e palës evropiane, nuk do të mund të pritej nga komisioneri i ri çek, Fuele, i cili s’ka marrë mandatin zyrtarisht. Duke mos arritur të hartojë një axhendë të rëndësishme në këtë udhëtim, PS nuk jep zyrtarisht asnjë të dhënë për itinerarin e kreut të opozitës. Ajo që duket se është e sigurt janë disa takime me përfaqësuesit e së majtës evropiane në Parlamentin Evropian, ndër të cilët dhe kreu i grupit parlamentar socialdemokrat në PE, Martin Shulz. Një personazh ky i atashuar me zhvillimet në Shqipëri, që më së shumti njihet për miqësinë me Ilir Metën e LSI-së sesa me kreun e PS-së. Ndërkaq nuk dihet gjithashtu nëse do të ketë takime me përfaqësues të administratës në Uashington, apo do të jetë një vizitë krejtësisht private atje. Gjithsesi, kjo vizitë do të përdoret për të rregulluar imazhin e marrëdhënieve të acaruara me të huajt, sidomos pas një qëndrimi radikal të Ramës e figurave të tjera me zë në këtë parti, që u mbajt në vjeshtë kundër sugjerimeve të huaja që PS të mos bojkotonte Kuvendin. Është e qartë se kreu i PS-së po tenton të rregullojë disi marrëdhëniet me ndërkombëtarët, pasi në fillimet e bojkotit tha disa herë se Shqipëria i di vetë punët e saj dhe s’ka mbetur të marrë mend nga të tjerët. Mbërritja e afatit të djegies së mandateve sipas Kushtetutës dhe mosgjetja e një rrugëzgjidhjeje tjetër për të dalë nga bojkoti e kanë detyruar Ramën që të ulë tonet dhe të pranojë më në fund sugjerimet e organizmave ndërkombëtarë për dialog. Ditët e fundit ambasadorët përfaqësues të Bashkimit Evropian, i Spanjës që mban presidencën dhe ai i KE-së, Lohan, ishin në zyrën e Ramës, ku u fol për qëndrimin e mëtejshëm të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›