E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenar Ahmeti thyen rregullat e sigurisë në gjykatë



Laureta Rryçi

Tiranë - Shefi i Qarkullimit Rrugor ka shënuar një tjetër përplasje dje me institucionet e Drejtësisë. Kësaj radhe incidenti është shënuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Shkak është bërë mosrespektimi i rregullave të brendshme të sigurisë nga ana e efektivit të Policisë Rrugore, Krenar Ahmeti. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan se Ahmeti nuk ka pranuar të dorëzojë armën në katin e parë të gjykatës, në vendin ku të gjithë u nënshtrohen kontrolleve të sigurisë. Ndërsa nuk është penguar në katin e parë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë në zyrën e gjyqtarit, ku pritej të zhvillohej procesi.
Incidenti
Një incident i rëndë ka ndodhur dje në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Gjyqtari që shqyrton çështjen në ngarkim të Krenar Ahmetit, shef i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, për veprime arbitrare, nuk e ka lejuar këtë të fundit të jetë i pranishëm në seancë me armën pistoletë që mbante me vete. Gjyqtari i ka kërkuar kryepolicit të Tiranës të heqë armën dhe më pas të zhvillojë një proces gjyqësor normal. Pas këtij incidenti, seanca gjyqësore është shtyrë. Nuk dihet nëse shkak për shtyrjen ka qenë kundërshtimi i Ahmetit, apo shkak tjetër procedural.
Procesi
Ndaj Krenar Ahmetit është hapur një gjykim, pasi dy shtetas e akuzojnë atë për veprime arbitrare gjatë ushtrimit të detyrës. Shkak është bërë kallëzimi penal i prokurores Elizabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj avokat. Ngjarja për të cilën akuzohet Ahmeti ndodhi më 17 maj, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Atë natë prokurorja Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, Agron Bajri, janë shoqëruar me forcë, me urdhër të shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, në Komisariatin numër 2 të Policisë, ku janë mbajtur të paktën 3 orë. Pas incidentit, të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën. Prokurorja pretendoi se automjeti ku ndodhej dhe që drejtohej nga i vëllai ishte ndaluar në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak. Punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, i cili kishte kryer ndalimin e mjetit, sipas pretendimit të saj, kishte kryer veprime që shkelnin etikën. Në vendin ku prokurorja debatonte me policët më pas ka shkuar bashkëshorti i saj. Të dy këta, me urdhër të Ahmetit, kanë përfunduar në komisariat, ku pavarësisht imunitetit, prokurorja ka qëndruar 3 orë, në cilësinë e personit të shoqëruar.

Ishte në kërkim për mashtrim, ndalohet nga policia

Krujë – Ishte në kërkim për mashtrim, arrestohet nga policia. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se rreth orës 16:00 të dy ditëve më parë, në lagjen “Kastrioti” të qytetit të Fushë-Krujës, shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë bënë të mundur ndalimin e një shtetaseje të kërkuar nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, e konkretisht Nazmije Rakipi, vitlindja 1948, lindur në Dibër e banuese në Fushë-Krujë, analfabete, e martuar. Kjo shtetase është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë më datë 11.10.2008 për veprën penale të mashtrimit. Nazmie Rakipi iu dorëzua për veprime të mëtejshme D.P.Q. -se Tiranë.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›