E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata i thotë po Prokurorisë për pushimin e sekuestrove të pronave të Dionis Teqes



Tiranë – Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes mbi sekuestron e pronave të Dionis Teqes. Gjyqtarja e çështjes, Shefkie Demiraj, e pranoi dje këtë kërkesë duke treguar kështu një herë e mirë heqjen dorë nga ana e Akuzës për pastrim parash të Teqes. Në ditët në vazhdim pritet që i njëjti vendim të merret edhe për pronat e Erion Isufit. Prokuroria e Tiranës, vetëm pak ditë më parë dërgoi kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë që të pushohet kërkesa për sekuestro të pronave të Erion Isufit dhe Dionis Teqes. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se tashmë kërkesa ka mbërritur dhe dy gjyqtarët, Sokol Tona dhe Shefkie Demiraj, duhet të vendosnin nëse do ta pranonin apo jo këtë kërkesë. Demiraj e dha vendimin e saj, tani pritet verdikti i gjyqtarit Tona. Kjo kërkesë vjen nga ana e prokurorisë, pas kërkesave që iu ribënë bankave dhe degës së Tatim Taksave dhe Hipotekës për ngrirjen e pasurive të Isufit. Tri ditë më parë Erion Isufi, administratori i 3 kompanive të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, akuzuar për mashtrim financiar, i kërkon prokurorisë të kërkojë falje publike. Kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ka reaguar me një deklaratë dërguar me e-mail në redaksitë e medieve, ku e quan të nxituar vendimin e prokurorisë, që urdhëroi sekuestron e pronave të tij. Ndonëse prokuroria vendosi sekuestro mbi pronat e tij për të parë nëse kishte dhe asete të transferuara nga pronat e Fazlliçit, tri ditë më vonë, me urdhër të posaçëm, prokuroria anuloi sekuestron. Anulimi erdhi pasi nuk u gjetën gjurmë që lidhnin dy aktivitete. Por ndonëse ky është një veprim procedural i prokurorisë, duket se Isufi e ka konsideruar si një veprim që ka dëmtuar imazhin e tij publik. Akoma më tej, Isufi e quan të pamjaftueshme masën e heqjes së sekuestros dhe i drejtohet prokurorisë t’i kërkojë falje publike ose zyrtare për atë që ai e cilëson shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut. “Vendimi i prokurorisë është një dhunim i paarsyetuar i biznesit dhe në veçanti cenimi i integritetit dhe figurës sime morale dhe familjarëve të mi”, - shprehet Isufi. Erion Isufi, kunati i ministrit Lulzim Basha, menaxhonte tri kompani të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, ku në njërën prej tyre, pas një transaksioni të dyshimtë, eshtë vënë në hetim me akuzën e pastrimit të parave.

Pranga një 22-vjeçari, akuzohet për shitje të lëndëve narkotike

TIRANË - Një 22-vjeçar është arrestuar të premten në Tiranë me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Burime zyrtare nga Policia e qarkut bënë të ditur se forcat e policisë arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasin Julian Lila, 22 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Qytetin Studenti. Sipas këtyre burimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 344.4 gramë bimë narkotike e llojit Cannabis sattiva. Nga të njëjtat burime mësohet se çështja penale në ngarkim të 22-vjeçarit i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›