E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta bie 40 dollarë, tregu shqiptar nuk reagon

Nga korriku çmimi i naftës është ulur me 100$, ndërsa në tregun e pakicës kjo është reflektua me 4-5 lekë/litër

Nafta është treguar me 40$/fuçia vetëm në dhjetor 2004, atëherë në Shqipëri shitej me 85-90 lekë/litër

Çmimi i naftës ra në fund të javës në 40 dollarë për fuçi, nivel të cilin nuk e kishte prekur që nga 10 dhjetori i vitit 2004. Nafta bruto në SHBA ra me 2.85 dollarë për fuçi, duke u fiksuar në 40.81 dollarë/fuçi. Ndërsa brenti në Londër arriti në 39.74 dollarë për fuçi. Rënia është shumë e theksuar, pasi vetëm në korrik të këtij viti një fuçi tregtohej me 147 dollarë. Ulja e çmimit të naftës ditën e premte në tregjet ndërkombëtare ka sjellë një reagim të shpejtë në të gjithë botën. Por ritmet e uljes në Shqipëri, që nga korriku janë shumë të ngadalta. Që nga muaji korrik çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është ulur me më shumë se 100 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi për litër i naftës në tregun e pakicës në vendin tonë është ulur me 4-5 lekë. Në dhjetor të vitit 2004, kur në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ishte 40 dollarë/fuçi, aq sa ka arritur këto ditë dhe kur kursi i këmbimit me dollarin varionte në 92-95 lekë, afërsisht sa sot, një litër naftë kushtonte rreth 90 lekë për litër. Ndërsa çmimi për litër i naftës, në tregun shqiptar sot varion nga 123-130 lekë për litër, pra deri në 4 lekë për litër më shumë.Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për të verifikuar nëse në treg ekziston ndonjë kartel i mundshëm për fiksimin e çmimeve. Rritja e çmimeve të karburanteve ka bërë që vlera e importeve të këtyre të fundit, gjatë vitit 2008, të shënojë një rritje të konsiderueshme vjetore prej rreth 50%. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për karburante gjatë nëntë muajve të parë të vitit ishin rreth 210 milionë euro nga 140 milionë euro, që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e vlerës së importeve të karburanteve ka ardhur pothuajse plotësisht për shkak të rritjes së çmimit, pasi sasia e importeve të karburanteve është rritur me vetëm 2% ndaj vitit të kaluar.

Tregjet ndërkombëtare

Rënia e theksuar e tij erdhi si reagim i raportit që përmbante të dhënat mbi numrin në rritje të papunësisë në Shtetet e Bashkuara. Gjatë nëntorit u shënuan 533 mijë të papunë, e konsideruar kjo si performanca më e ulët që nga viti 1974. Ulja e çmimit të naftës është interpretuar mirë në tregjet e këmbimit të aksioneve, të cilat pësuan një rritje, pasi investitorët janë të sigurt se çmimet e ulëta të naftës do të nxisin një rritje të shpenzimeve të konsumit dhe ulje të kostove të biznesit. Kina dhe India, dy ndikuesit më të mëdhenj të rritjes së çmimit të naftës, për shkak të kërkesave gjithnjë e në rritje, nisën një ulje çmimesh në tregun e brendshëm, për herë të parë gjatë këtyre dy viteve, duke ulur fitimet e rafinerive për të stimuluar rritjen e ekonomive të tyre të dobësuara. Agjencia ndërkombëtare e Energjisë uli parashikimin e saj për rritjen vjetore të kërkesës në 1.2 për qind, nga 1.6 që e kishte shpallur më parë. Rënia e shpejtë e çmimeve të naftës ka nxitur anëtarët e OPEC-ut për marrjen e një vendimi të shpejtë, në mbledhjen e parashikuar më 17 të këtij muaji në Algjeri. Presidenti i organizatës së Vendeve anëtare të Eksportimit të Naftës, “Chakib Khelil”, tha për televizionin shtetëror të Algjerisë se grupi i prodhimit të naftës duhet të ulë sasinë e prodhimit në nivele të konsiderueshme, nëse çmimet mbeten në këto nivele. Karteli ka rënë dakord për të ulur ofertën me dy milionë fuçi në ditë për të mbajtur lart çmimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›