E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mish i pakontrolluar në tregun vendas

Pesë kontenierë me mish dhe dhjamë të ngrirë pa certifikatat veterinare dhe të sigurisë ushqimore kanë hyrë në Shqipëri, duke përbërë rrezik real për konsumatorët. Autoritetet bëjnë me dije se dy prej kontenierëve janë zhdoganuar, dhe madje një sasi prej mbi 27 ton tashmë është shpërndarë në treg, ndërsa një sasi tjetër prej 26 ton mish është bllokuar. Në portin e Durrësit mbeten të bllokuar tre kontenierë, pasi nuk kanë asnjë dokumentacion origjine, adresë të kompanisë pritëse dhe certifikatë sigurie. Burime nga Inspektoriati i Sigurisë Ushqimore dhe autoritetet doganore kanë bërë me dije se më datë 10 shkurt në portin e Durrësit ka mbërritur një ngarkesë me 28.400 kg dhjamë gjedhi të ngrirë dhe 27.600 kg mish gjedhi. Kontenierët janë zhdoganuar në Tiranë po atë ditë dhe pas kontrolleve të mëvonshme, ka rezultuar që certifikatat veterinare që shoqëronin ngarkesat ishin të falsifikuara. Këtë e ka konfirmuar edhe shërbimi veterinar i Paraguajit nga ku importohej sasia e mishit. Autoritetet konfirmojnë se kjo nuk është e vetmja sasi mishi  që mund të paraqesë rrezik për konsumatorët. Ministria e Bujqësisë, Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thonë se janë në hetim të këtyre rasteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›