E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Të lehtësohet kredimarrja, bankat rol nxitës në ekonomi

Këshilli Mbikëqyrës mban të pandryshuar normën bazë të interesit

Kërkesën që bëri dy ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, që bankat e nivelit të dytë të japin më shumë kredi, pasi ekonomia ka nevojë për të, e ka ripërsëritur dje edhe Guvernatori i Banës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në daljen e tij publike, ku bëri të njohur vendimin e Këshillit të Bankës së Shqipërisë për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e elenë atë në nivelin 5.25 %, guvernatori tha dje se ka një përmirësim në treguesit monetarë për tre muajt e 2010-ës. Por nga ana tjetër iu kërkoi bankave të nivelit të dytë të jenë më të hapura ndaj biznesit për kredi. Ai pranoi se nga analiza e Bankës së Shqipërisë rezulton se për këtë muaj kushtet e kredisë janë shtrënguar. Treguesit monetarë janë përmirësuar në 3 muajt e 2010-ës. Ndërsa kushtet e kreditimit janë shtrënguar. Përgjithësisht mbizotëron kredia në lekë, - tha Fullani. Ndonëse ai pranoi se këto muaj ka zhvillime inkurajuese, aktiviteti kreditues në vend mbetet larg potencialit të tij, në përgjigje të kërkesës më të ulët për kredi bankare dhe kushteve të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga bankat. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu ka bërë thirrje bankave të lehtësojnë kushtet e kredimarrjes, si dhe të tregohen më largpamëse, duke marrë rol nxitës në ekonomi. Të lehtësohen kushtet e kredimarrjes dhe rol këtu duhet të luajnë bankat, sistemi bankar të tregohet më largpamës duke marrë rol nxitës në ekonomi, u shpreh Fullani, duke theksuar se tkurrja e kreditimit është një problem global. Sipas BSH-së, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore rreth 4 për qind në terma realë, duke kontribuuar në një rritje vjetore me 7.8 për qind të ofertës monetare në muajin janar. Aktiviteti kreditues vijon të mbizotërohet nga kredia në lekë, e cila mbulon kryesisht nevojat e bizneseve për kapital qarkullues. E veçanta e muajit janar 2010 është se situata e përmirësuar e mjeteve valutore të sistemit bankar po fillon të reflektohet në rritjen e kredisë në valutë. Megjithatë, rritja e qëndrueshme e kreditimit duhet të mbështetet nga riaktivizimi i kërkesës për kredi dhe lehtësimi paralel i kushteve të kredidhënies të aplikuara nga sistemi bankar. Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më largpamës në drejtim të vlerësimit të sektorëve potencialë të rritjes ekonomike dhe të marrë një rol më aktiv në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Ndërsa inflacioni vjetor në muajin shkurt 2010 rezultoi 4.4 për qind, duke tejkaluar me 0.4 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të tolerancës rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i BSH-së iu bëri thirrje bankave dhe bizneseve të bashkëpunojnë. Inflacioni tejkaloi normën duke arritur në 4.4% në muajin shkurt, por ky është një veprim afatshkurtër dhe BSH do veprojë sipas ecurisë së treguesve. Mbikëqyrja e bankave nga ana e BSH-së do të sjellë më shumë stabilitet, edhe pse duhet të rritet nga ana tjetër bashkëpunimi mes biznesit dhe bankave, nënvizoi ai. Sipas BSH-së, sektori i jashtëm i ekonomisë ka shfaqur sinjale pozitive gjatë muajit janar, duke u karakterizuar nga një rritje prej 30 përqindësh e eksporteve dhe ngushtim prej rreth 13 për qind i deficitit tregtar. Ky zhvillim i mirëpritur mbetet gjithsesi i pamjaftueshëm për të vendosur ekonominë shqiptare në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Stimuli i lartë fiskal i dhënë gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2009 ka ndikuar në rritjen e borxhit publik në nivelin 59.5 për qind të PBB-së. Ndërsa inflacioni mesatar vjetor shënoi 2.6 për qind. Edhe pse vërehet frenim në aktivitetet ekonomike, edhe pse ka rënie të importeve dhe borxhi publik është rritur, norma bazë e interesit vazhdon të mbetet 5.25 %, sipas guvernatorit Fullani. Norma bazë e interesit do të mbetet 5.25 %. Ka frenim të aktivitetit ekonomik dhe rënie të importeve. Borxhi publik është rritur si pasojë e rritjes së shpenzimeve, theksoi Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›