E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosdeklarimi nga biznesi i vogël, gjobë 10 mijë lekë

25/03/2010 Tatimet

Megjithëse ka vetëm një javë kohë deri në përfundimin e afatit për deklarimin e pasqyrave financiare, biznesi i vogël paraqitet tejet i painteresuar për këtë proces. Problematika e ngritur është fakti se kjo kategori biznesesh e ndjen veten të papërgatitur për të hartuar pasqyra financiare sipas standardeve kombëtare të kontabiliteteve në një kohë të shkurtër. Madje shumica e tyre nuk kanë informacion dhe as që e njohin plotësimin e formularit të vetëdeklarimit. Por, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, bën të ditur se një proces i tillë është bërë i qartë që një vit më parë dhe fundi i marsit të vitit 2010 shënon përfundimin e afatit. Gjithashtu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Jorgji Bollano u shpreh dje për një televizion se ky proces ka qene i paralajmëruar për bizneset që një vit më parë. Sipas Bollanos, një proces i tillë do të thjeshtojë bilancet financiare të bizneseve. Ai thekson se indiferenca ndaj informacionit çon në situatën aktuale, ku këto biznese ndjehen të papërgatitur për t’iu nënshtruar procesit. Ndërkaq, Administrata Tatimore informon se mosparaqitja brenda afatit kohor e deklaratës tatimore dhe e bilancit kontabël është shkelje ligjore. Si rrjedhojë, tatimpaguesi, i cili nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 mijë lekë lekë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›