E Diel, 1 Nëntor 2026

Vija bregdetare, studim për mbrojtjen nga erozioni

Studim për tokat nga vija bregdetare e Velipojës deri në Nartë

Tokat që janë përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja deri në Nartë do të përfshihen në një studim të posaçëm që synon mbrojtjen e tyre nga erozioni bregdetar. Ky studim së pari synon evidentimin e gjendjes e më pas marrjen e masave në mbrojte të vijës bregdetare. Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për miradministrimin e territorit të vendit, dhe në mënyrë të veçantë të tokave bregdetare, u zhvillua dje nën drejtimin e ministrit të Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, zotit Sokol Olldashi mbledhja e Grupit Ndërinstitucional të punës, për kryerjen e studimit të gjendjes së erozionit detar dhe përcaktimin e masave të mbrojtjes ndaj tij. Studimi i vijës bregdetare që nga Velipoja deri në Nartë do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare, si dhe tendencat erozive të detit si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Studimi synon të jetë konkret e kompleks dhe do të përfshijë planin e veprimit dhe masat e ndërhyrjet eventuale afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, të cilat mund të ndërmerren me qëllim frenimin e fenomenit të erozionit detar. Në të do përcaktohet gjithashtu kostoja financiare e ndërhyrjeve në segmente të caktuara të vijës bregdetare, si dhe kostoja e përgjithshme për një ndërhyrje të gjerë e të plotë. Ministritë, institutet shkencore dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore do vënë në dispozicion të grupit të studimit ekspertët më të kualifikuar të kësaj fushe si dhe gjithë të dhënat, të cilat mund ti shërbejnë kryerjes në kohë e cilësi të këtij studimi. Grupi i punës do të bashkëpunojë me Bankën Botërore dhe me PNUD për realizimin e këtij studimi të rëndësishëm për bregdetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›