Berlusconi: Centrali bërthamor në Shqipëri
Kryeministri ka bërë të ditur se ndërtimi i centralit nuk do të bëhet në Pulia
Italia ka një projekt për ndërtimin e një centrali bërthamor, por ai nuk do të ndërtohet në asnjë zonë të këtij vendi. Ky projekt mendohet të bëhet realitet në vendin fqinj të Italisë, pikërisht në Shqipëri. Ky fakt është bërë publik nga vetë Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, në një intervistë që ai ka dhënë në median italiane. Kreu i qeverisë italiane pranon se projekti për krijimin e centralit bërthamor është menduar të bëhet në Shqipëri dhe është tashmë një ide e konsultuar dhe mund të quhet një projekt i përbashkët me qeverinë shqiptare. Referimi im mbi krijimin e një centrali bërthamor në Shqipëri është një refleksion më i thellë dhe inkuadrohet në një projekt bashkëpunimi me një vend mik. Kështu ka deklaruar Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, në një intervistë të publikuar dje në faqen online të Gazzetta del Mezzogiorno. Berlusconi i është përgjigjur pyetjes së gazetarit se nëse nuk rrezikohet nëse i besohet një shteti tjetër drejtimi i energjisë nacionale të shtetit italian. Madje ai shkoi më tej, duke deklaruar se këto hipoteza janë shqyrtuar tashmë në nivel teknik dhe BIE, Banka Evropiane e Investimeve. Kryeministri italian ka bërë të ditur për shtypin italian se ndërtimi i centralit nuk do të bëhet në Pulia, ku si qendra e majtë dhe qendra e djathtë kundërshtojnë ndërtimin e tij. Besoj se Italia duhet të shikojë mundësinë që të ulë kostot e energjisë elektrike, dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi ynë procedon me ndërtimin e një centrali bërthamor që qëndrojnë jashtë lojës së karburantit. Sipas Berlusconi-t, ndërmarrjeve italiane energjia i kushton 30% më shumë se mesatarja evropiane. Kjo do të thotë se produktet italiane dalin nga fabrika me një kosto që nuk mund ta përballojmë më. Ideja e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri nuk është re. Vetë Kryeministri Berisha disa herë është deklaruar i gatshëm për nisjen e procedurave për ndërtimin e një projekti të tillë. Qeveria shqiptare pak ditë më parë miratoi vendimin për krijimi i Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të Kryeministrit, e cila synon ti hapë rrugën ngritjes së infrastrukturës për centralin bërthamor në vend.