E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Platinirizgjidhet presidenti UEFA-s

PARIS- Mishel Platini është rizgjedhur president i UEFA-s, në Kongresin e futbollit europian që po zhvillohet në Paris. Francezi ishte kandidati i vetëm në garë dhe është votuar në mënyrë unanime nga 53 federatat pjesëmarrëse, mes të cilave edhe Shqipëria. Në këtë mënyrë, Mishel Platini do të jetë në krye të futbollit europian deri në vitin 2015. Ish-kapiteni i kombëtares franceze dhe një yll i Juventusit në vitet ‘80 u zgjodh për herë të parë president i UEFA-s më 26 janar 2007, kur ai triumfoi përballë Lenart Johanson në Kongresin e Dyseldorfit në Gjermani.

 Atëherë Platini mori 27 vota, kundrejt 23 të suedezit. Pas rizgjedhjes në mënyrë plebishitare, francezi ka falënderuar të gjithë anëtarët e Kongresit. “Katër vjet më parë, falënderova miqtë e mi të vjetër, ndërsa sot falënderimet e mia u shkojnë të gjithë miqve të rinj që kanë treguar se janë në krahun tim. Ju falënderoj për besimin që keni treguar ndaj meje, miq të federatave kombëtare”, deklaroi Platini pas rizgjedhjes në krye të institucionit kryesor të futbollit europian. Politika kryesore e Mishel Platini gjatë 4 viteve të para të presidencës ka qenë ajo për përkrahjen e federatave të vogla, sidomos përsa i përket pjesëmarrjes në kompeticionet europiane.

Kështu, në vitet e fundit është rritur ndjeshëm prezenca e skuadrave lindore në Champions League dhe Europa League. Po ashtu, këto kompeticione kanë ndryshuar shumë, sidomos Europa League, që tashmë është në një format të ngjashëm me Ligën e Kampioneve dhe ka më shumë skuadra cilësore. Ndryshime të tjera kanë qenë ato mbi finalen e Champions League, që luhet ditën e shtunë, si edhe lufta kundër trukimeve në futboll.

(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›