E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishelë Obama si Baraku

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara nuk është i vetmi që po bën histori si i pari afro-amerikan që do të drejtojë vendin. Është historik edhe fakti se një grua si Mishelë Obama do të jetë Zonja e Parë e SHBA-ve. Mishelë Obama është një grua në karrierë, që nuk i ka munguar suksesi profesional. Njëherësh, ajo është nënë e dy vajzave dhe aktualisht një figurë publike që ngjall shumë interes. Deri vonë, ajo dhe jeta e saj ishin thuajse të panjohura për shumicën e amerikanëve. Shumëçka ndryshoi, kur ajo mbajti një fjalim kyç në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në gusht të këtij viti. Obama mori kandidimin zyrtar nga partia e tij si kandidat presidencial në Kuvendin e gushtit 2008. Mishelë Obama e përdori këtë mundësi për t’u paraqitur dhe për të bërë publike vlerat e saj, të familjes dhe vizionin e 44-vjeçares për Amerikën. “Baraku dhe unë jemi rritur me shumë vlera të përbashkëta. Do të përmendja vlera të tilla sesi duhet punuar shumë, për të arritur atje ku dëshiron apo fjala është lidhja me botën, ndaj duhet bërë ajo që premton, trajtimi i të tjerëve me dinjitet dhe respekt, pavarësisht nëse nuk i njeh apo nuk je dakord me ta”, tha Mishelë Obama. Ajo foli edhe për origjinën e saj dhe të bashkëshortit. Në dallim nga origjina “globaliste” e Barak Obamës, i lindur nga një baba kenian dhe nënë amerikane e bardhë, që ka bërë shkollimin e hershëm në Indonezi, Mishelë Obama është tërësisht amerikane. Ajo është rritur në komunitetin afro-amerikan të Çikagos, në një familje punëtore, por shumë të lidhur. “Unë vij këtu, në Konventën e Partisë Demokratike, si bijë e rritur në jug të Çikagos, nga një baba punëtor dhe një nënë që ka ndenjur në shtëpi me mua dhe tim vëlla”. “Dashuria e nënës sime ka qenë forca që mbante familjen tonë të bashkuar. Dhe një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, është të shoh integritetin, shpirtmadhësinë dhe mençurinë e saj të pasqyruar tek bijat e mia. Im atë ishte shkëmbi ynë mbështetës. Me gjithë faktin se ai u diagnostifikua herët, qysh në moshën 30-vjeçare, me sklerozë të shumëfishtë, ai mbajti financiarisht familjen. Ai ishte kampioni dhe heroi ynë”, tha Mishelë Obama. Mishela dhe i vëllai ishin të shkëlqyer në shkollë, gjë që i çoi ata nga shkollat publike të Çikagos në një nga universitetet më prestigjioze në Amerikë, në Princeton. I vëllai, Greg Robinson, ishte një nga basketbollistët më të mirë në historinë e këtij universiteti. Aktualisht ai është trajner në basketbollin profesional. Vetë Mishela pas Princeton shkoi në Harvard, ku studioi për drejtësi. Ajo u takua me Barak Obamën, që gjithashtu ndoqi studimet për drejtësi në Harvard, në një firmë ligjore në Çikago. Më vonë Barak Obama iu fut politikës dhe u bë senator. Por ishte Mishelë Obama, ajo që sillte më shumë të ardhura në familje, derisa mbante një post drejtues tepër të rëndësishëm në Universitetin e Çikagos. Gjatë fushatës zgjedhore, kundërshtarët e Barak Obamës u përpoqën ta dobësonin pozitën e tij, duke sulmuar Mishelë Obamën. Ata e paraqisnin Mishelën si një afro-amerikane gjithë zemërim. Më pas ata sulmuan komentet e saj në shkurt të këtij viti, kur tha se “për herë të parë në jetën time si e rritur, jam realisht krenare për vendin tim”. Ajo shtoi se kjo “nuk lidhej vetëm me faktin se Barak po shënonte suksese në garën brenda demokratëve, por se njerëzit janë të etur për ndryshime”. Kritikët thoshin se komentet e saj ishin jopatriotike. Në mbrojtje të Mishelë Obamës atëbotë u vu edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Laura Bush, e cila tha se fjalët e zonjës Obama ishin keqinterpretuar. Vetë Mishelë Obama u përpoq të ishte e kujdesshme dhe të korrigjonte çdo keqkuptim lidhur me këtë deklaratë. “Të gjithë ne drejtohemi nga besimi i thjeshtë, se bota në gjendjen aktuale nuk funksionon. Është detyrimi ynë, që të luftojmë për ta ndryshuar botën, në mënyrë që ajo të jetë si duhet”, - tha ajo. “Ky është filli që lidh zemrat tona, që përcakton ditën time, atë të Barakut dhe të shumë prej jush, është ky fill lidhës që na ka sjellë të gjithëve këtu, ku historia takohet me shpresën. Kjo është arsyeja që e dua vendin tim”, tha Obama në Kuvendin e Demokratëve. Tashmë, kur gjithçka është vendosur, pyetjet rreth saj kanë të bëjnë me rolin që Mishelë Obama do të luajë si Zonjë e Parë. Ajo vetë ka thënë se nuk do të kërkojë ndonjë rol politik në administratën e ardhshme. Siç kishte thënë gjatë një interviste, detyra e saj themelore mbetet “Mama në krye të detyrës” për Malian 10-vjeçare dhe Sashën 7-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›