E Shtunë, 31 Tetor 2026

Groposen 1000 tonë arsenik

FIER - Pavarësisht deklaratave politike dhe kundërshtimit të banorëve, dje mori fund çështja e groposjes së rreth 90 për qind të 1 mijë tonëve arsenik të ngurtësuar që ndodhet në ambientet e ish-Azotikut në Fier. Kështu, ditën e djeshme përfundoi dhe procesi i kapsulimit të gropës së landfillit që u projektua me këtë qëllim, me materialin izolues që sipas specialistëve ka një garanci të përjetshme. Përfaqësuesit e firmës finlandeze “Ekokemb”, pavarësisht frikës dhe kundërshtive të banorëve, janë shprehur të sigurt në zbatimin rigoroz të projektit për groposjen e arsenikut, ndërsa koordinatori i projektit, inxhinier Kujtim Sovrani, ka ftuar banorët dhe gjithë skeptikët e këtij projekti që të vizitojnë dhe të shohin nga afër punën e kryer deri tani. “Unë do t’u garantoja banorëve të zonës, që të jenë absolutisht të qetë. Do të ftoja edhe kundërshtarët e groposjes së arsenikut dhe do të shtoja se ata ishin të tillë vetëm për mungesë informacioni. Unë do t’i ftoja që të vinin të vizitonin këtë groposje dhe të bënin monitorimin me ne të analizave të ujit”, tha para mediave dhe disa banorëve kureshtarë Sovrani. Nga ana tjetër, ai deklaroi se puna e bërë nga “Ekokemb” dhe firma nënkontraktuese shqiptare “Agbes” garanton mbrojtjen e mjedisit dhe jetës së qytetarëve fierakë. “Garancia është projekti me standarde evropiane, e cila është projektuar nga një firmë irlandeze, ndërsa garancia e dytë është zbatimi korrekt i projektit. Ne kemi dy shtresa tepër të sigurta dhe një shtresë plastike të zezë përsipër. Argjila është e pavdekshme në kushtet e varrosjes, pra garancia është 100 për qind. Këto garanci që unë them, do të monitorohen dhe për këtë jam shumë i sigurt”, shtoi në fjalën e tij inxhinier Kujtim Sovrani. Vlera e projektit në fjalë shkon në rreth 1.5 milionë euro. Për asgjësimin total të arsenikut dhe groposjen e tij janë lëvizur dhe groposur 500 metra kub unaza rashing të konsumuara, 3500 metra kub betone të thyer të objekteve të kontaminuara dhe i kontaminuar në masën 14 mijë metra kub etj. Ky landfill është i pari i llojit të tij në vendin tonë dhe sipas koordinatorit të projektit, do të pasohet nga ai i Vlorës dhe i Durrësit, gjithmonë financuar nga Komuniteti Evropian. Tashmë pritet të nisë faza e fundit, që është gjelbërimi i landfillit, i parashikuar të kryhet në ditët në vijim me një fond të posaçëm nga shteti, por edhe me kontribut të banorëve të zonës, të cilët do të tregohen vullnetarisht dorëdhënës në mbjelljen e pemëve dekorative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›