E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta mes qytetit, policia ngre supet

SHKODËR - Një hije misteri vazhdon të mbulojë ngjarjen e rëndë të dy ditëve më parë në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë e përplasjes me armë mes dy grupeve rivale mbeti i plagosur një kalimtar i rastit. Efektivët e policisë në Shkodër ngrenë supet teksa pyeten në lidhje me atë që kanë nxjerrë në dritë hetimet për përleshjen me armë mes dy automjeteve në hyrje të qytetit, që ndodhi dy ditë më parë, e ku mbeti edhe një kalimtar i plagosur. Megjithëse kanë kaluar 48 orë nga “lufta” që dyshohet të jetë zhvilluar mes dy bandave rivale, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ende nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar në lidhje me autorët apo dhe motivet që i kanë shtyrë ata në shkëmbimin e zjarrit që terrorizoi banorët.

Kështu, vazhdon të jetë e mbuluar me mister ngjarja e dy ditëve më parë, ku në rrugën hyrëse të qytetit pati një shkëmbim zjarri mes personave që ndodheshin në një automjet tip “Benz” e në një tjetër tip fuoristradë ngjyrë jeshile. Pas ngjarjes së bujshme mësohet se në ambientet e Komisariatit të Shkodrës janë shoqëruar rreth 40 persona, për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje të pazakontë prej vitesh në këtë qytet. Burime pranë Komisariatit të Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se personat e shoqëruar ishin kryesisht të pranishëm në momentin kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, por kishte mes tyre edhe persona që njihen si persona me precedentë kriminalë.

Por fakti më i çuditshëm është sesi policia nuk ka mundur ende të zbardhë targat e dy automjeteve, në momentin që ngjarja ka ndodhur në mes të ditës e për më tepër në një zonë tejet të populluar. E vetmja deklaratë publike e bërë deri tani nga policia e Shkodrës, është ajo se shkëmbimi i zjarrit pati si protagonistë dy grupe rivalë akoma të paidentifikuar, që për qëllime larje hesapesh qëlluan dhunshëm në drejtim të makinave me të cilat po udhëtonin në hyrje të Shkodrës. Pasi krehën zonën në një diametër prej rreth 100 metrash katrorë, policia arriti të gjejë edhe sekuestrojë në cilësinë e provës materiale mbi 30 gëzhoja automatiku dhe pistolete. Pranë dy automjeteve të përfshira në konflikt, po udhëtonte edhe një furgon i një banke që operon në Shkodër. Fillimisht nga hetuesit u dyshua se mos personat që qëlluan me armë kishin si synim pikërisht furgonin e bankës. Mundësia e një tentative grabitjeje me armë të parave që ndodheshin në të u studiua me imtësi nga ana e grupit hetimor, i cili më pas e hodhi poshtë si të pamundur dhe të pabazuar në prova këtë pistë hetimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›