Ilir Meta radikal

Lëvizja Socialiste për Integrim “kërcënoi” sërish me veprime radikale e demokratike, deri tek mundësia tjetër për të shkuar në grevë urie. Në mbledhjen jashtëzakonshme të Komitetit Drejtues Kombëtar, që u zhvillua dje, u vendosën masa organizative për të mos lejuar atë që ata e konsiderojnë si vjedhja e votës së lirë. KDK-ja miratoi qëndrimet e shprehura më parë nga kryesia për ndërmarrjen e veprimeve radikale e demokratike deri në grevën e urisë. “Muaji dhjetor po afron jo vetën nga aspekti kalendarik, por edhe politik. Është përgjegjësi e këtij Komiteti, në radhë të parë, që të nisë të gjitha masat organizative, në mënyrë që çështja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira të jetë brenda pak ditësh dhe pak javësh, jo çështja më e madhe kombëtare që duhet të zgjidhim dhe do ta zgjidhim se s’bën, por do të jetë edhe një çështje shumë e madhe ndërkombëtare”- u shpreh Meta në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes. Ai shtoi se LSI-ja do të sakrifikojë çdo gjë që shqiptarët të mos humbasin lirinë e tyre. “Shqipëria ka nevojë për hapësira të mëdha lirie dhe demokracie, kur Shqipëria ka nevojë të konsolidojë besimin e qytetarit te vota e tij, kur Shqipëria ka nevojë të rrisë pjesëmarrjen e njerëzve në votime, sepse ju e dini shumë mirë se për shkak edhe të mosbesimit te zgjedhjet, sa e ulët ka qenë pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e mëparshme. Ndaj, jam i bindur që kemi marrë përsipër një mision shumë të madh. Por, jam akoma më shumë i bindur se nuk jemi vetëm”- tha kreu i LSI-së. Sipas Ilir Metës për këtë qëllim LSI-ja ka një aleancë të gjerë me shoqërinë civile e qytetarë të tjerë të cilët, mendojnë se e ardhmja e vendit vendoset këto ditë ose javë. Ai e konsideron këtë çështje si një betejë, për të cilën shpreh bindje se do ta fitojë. Meta kujtoi se shqiptarët fituan betejën me një shtet të tërë 18 vite më parë, kur rrëzuan diktaturën. Atëherë sipas tij vështirësia ishte edhe më madhe sepse shqiptarët nuk e dinin se çfarë ishte liria, ndërsa sot e ka provuar atë. Ish-kryeministri, Ilir Meta shtoi se çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme ka qenë dhe mbetet kërkesë kryesore për vendin tonë, pasi sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk realizon ende zgjedhje të lira e të ndershme. Edhe zëvendëskryetari i LSI-së, vuri theksin tek manipulimi i zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009-të. Sipas tij, është ky synimin që po kërkojnë të realizojnë dy partitë e mëdha përmes kodit të ri zgjedhor.