E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll me vullnet

Kërkesa e qeverisë shqiptare për të pasur sa më shumë vëzhgues të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nga ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, shihet si një vullnet i qeverisë dhe jo si një sinjal rreziku se zgjedhjet e ardhshme mund të manipulohen apo të rrezikohen. Sipas reformatorit Shehu, zgjedhjet e ardhshme kanë një rol të rëndësishëm edhe për integrimin e vendit tonë, prandaj edhe mazhoranca dhe qeveria shqiptare duan që ato të dokumentohen si brenda standardeve evropiane. “Unë mendoj se një kërkesë e tillë është një vullnet i qeverisë për të pasur zgjedhje sa më të lira dhe të ndershme, sa më shumë brenda standardeve dhe sa më shumë të kontrolluara. Pra, është një mesazh që mazhoranca nuk ka frikë nga kontrolli, por përkundrazi, kërkon që të jetë sa më e kontrollueshme, që këto zgjedhje të dokumentohen se janë të lira dhe të ndershme, në mënyrë që pastaj kjo të ndikojë pozitivisht edhe në procesin e integrimit”, thotë Shehu për “Korrierin”. Po ashtu, ai hedh poshtë çdo mundësi që kjo kërkesë të jetë si pasojë e nevojës së qeverisë për të shmangur kontestimet që mund të vijnë pasi të jenë zhvilluar zgjedhjet e ardhshme në vitin e ardhshëm. “Unë mendoj se ky është një mesazh për vendosmërinë e mazhorancës, për të pasur zgjedhje sa më korrekte dhe sa më të rregullta, po ashtu edhe sa më brenda standardeve evropiane”, përgjigjet Shehu, duke hedhur poshtë që kërkesa të ketë ndonjë qëllim tjetër nga ajo që deklaron ai. Pak muaj më parë, një incident me diplomatët e OSBE-së në parlament solli edhe debatin nëse prezenca e saj në Shqipëri duhej të ishte ose jo. Gjatë debateve, rezultoi se një diskutim i tillë po bëhej edhe në qarqet diplomatike shqiptare dhe evropiane, kur u publikuan disa letërkëmbime mes ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha dhe kryetarit në detyrë të OSBE-së, Aleksandër Stub, ku kërkohej kufizimi i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, por jo largimi i përhershëm. Këtij debati i dha fund kryeministri, në një deklaratë kur paralajmëroi se do të kërkonte që të rritej numri i vëzhguesve të OSBE-së për zgjedhjet e ardhshme. Kjo deklaratë e Berishës u konkretizua pak ditë më parë, kur ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kërkoi zyrtarisht rritjen e numri të vëzhguesve të OSBE-së për zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa nga ana tjetër, progres-raporti vjetori i Komisionit Evropian citonte rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme për integrimin e vendit tonë, prandaj ato duhej të ishin të lira dhe brenda standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›