E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama vendos me Kushtetutë

Kryetarit të PS-së, Edi Ramës, do t’i duhet të zgjedhë në momentin e hartimit të listave për deputetë mes qëndrimit në postin e kryetarit të bashkisë, apo bërjes pjesë në grupin parlamentar të socialistëve. Kushtëzimi vjen falë detyrimit për të respektuar atë çka përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në nenin 69 të ligjit themeltar të shtetit përcaktohen kategoritë të cilat nuk mund të zgjidhen deputetët pa hequr më parë dorë nga detyra. “Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra: gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”, - thuhet në nenin 69-të. Pika dy e këtij neni shton se mandati i fituar në kundërshtim me këtë paragraf është i pavlefshëm. Pra, nëse kreu aktual i Bashkisë së Tiranës do të jetë pjesë e listave për deputet, domosdoshmërish duhet të ndërpresë mandatin e tij si kryetar bashkie. Edi Rama u rizgjodh për herë të tretë në krye të bashkisë së kryeqytetit në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit të vitit të kaluar. Mandati i të zgjedhurve vendorë është katërvjeçar, kështu që Rama do të duhet të qëndronte në krye të bashkisë së kryeqytetit deri në vitin 2011. Nëse ai vendos të hyjë në garën e ardhshme elektorale të vitit 2009, atëherë edhe për bashkinë e kryeqytetit do të duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo lëvizje mund të rrezikojë marrjen e mandatit për dy vite të tjera nga një kandidat tjetër josocialist, por në krahun tjetër do të ketë një efekt pozitiv në zgjedhjet e përgjithshme. Në kodin e ri zgjedhor pritet që kryetari i partisë të ketë mundësinë për të qenë pjesë e më shumë se një liste deputetësh. Pesha elektorale e kryetarit është mjaft e madhe, madje disa parti identifikohen edhe me mbështetësit e liderit të saj. Në rastin konkret, kryesocialisti Edi Rama duke qenë pjesë e disa listave, mund të tërheqë më shumë vota se ndonjë kandidaturë tjetër e së njëjtës listë, e kjo do të ishte në favor të marrjes së sa më shumë mandateve nga PS-ja. Në rast të rimarrjes së bashkisë së kryeqytetit, efektet negative të lënies së mandatit nga ana e kreut aktual të bashkisë nuk do të ekzistonin. Megjithatë, ndryshe nga krerët e tjerë të partive politike, të cilët do të jenë pjesë e garës elektorale të vitit 2009, pjesëmarrja ose jo e liderit të socialistëve në listat për deputet mbetet në pikëpyetje. saqellari@korrieri.com

Kushtetuta

Neni 69

1.   Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra:

a)   gjyqtarët, prokurorët;

b)   ushtarakët e shërbimit aktiv;

c)   punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;

ç)   përfaqësuesit diplomatikë;

d)   kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;

dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;

e)   Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

2.   Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›