E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia është gati të marrë OSSH-në

Sipas ministrit Genc Ruli, javën tjetër nisin negociatat e shitjes me kompaninë fituese të tenderit për privatizimin e OSSH-së

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha dje se shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa pritet që në javën e ardhshme të nisë negociata me kompaninë çeke “Cez” për të realizuar shitjen. Këtë deklaratë ministri Ruli e bëri dje, ndërsa përshëndeti progres-raportin e Komisionit Evropian, duke thënë se për herë të parë në historinë e këtyre raporteve, sektori energjetik shënon përparim. Ruli vlerësoi se në të gjitha fushat që mbulon METE është shënuar një progres i dukshëm, krahasuar edhe me vitet e kaluara. “Progresi është veçanërisht i dukshëm për sa i përket përafrimit të kuadrit legjislativ me direktivat përkatëse të BE-së, ngritjes së institucioneve rregullatore-monitoruese, sipas modeleve dhe eksperiencave më të mira evropiane, si dhe progresit në implementimin e politikave dhe programeve të reja”, tha Ruli. Duke renditur sektorët, të cilët janë përmendur për një progres të dukshëm në institucionin që ai drejton, ministri Ruli tha se në raport vlerësohen qartazi arritjet në fushën energjetike, në politikat e privatizimit, ato industriale, tregtare, në politikat në mbështetje të SME-ve dhe reduktimin e ekonomisë informale, në politikat e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, ato të infrastrukturës së tregut etj. “Raporti duhet të shërbejë si një plan konkret për sa i përket vlerësimit të punës dhe progresit në sektorët e veçantë që janë në përgjegjësinë e kësaj ministrie”, tha Ruli, duke kërkuar nga çdo drejtori dhe agjenci në varësi të METE-s, që të analizojë me hollësi raportin dhe të nxjerrë përgjegjësitë që dalin prej tij.

Kush është “Cez Group”

Grupi energjetik “Cez” është një nga kompanitë më të mëdha energjetike në Çeki, pasi prodhon rreth 3/4 e energjisë së përgjithshme në vend. Aktualisht kompania operon me dy plantacione energjetike nukleare, 34 hidrocentrale, si dhe një plantacion diellor të prodhimit të energjisë.

Biznesi shqiptar, kundër privatizimit

Lidhur me privatizimin e OSSH-së ka reaguar edhe bashkimi i bizneseve të Konfindustrisë Shqiptare, duke vënë në dukje se privatizimi i OSSH-së nuk duhet të bëhet duke u nxituar dhe të merren në konsideratë të mirëfilltë të gjithë kriteret që përcaktojnë kompanitë. Sipas Konfindustrisë, privatizimi i menjëhershëm mund të sjellë probleme afatgjata. Më tej bizneset janë shprehur të interesuar lidhur me marrjen pjesë në tender, por kjo vetëm nëse tenderi do të shtyhej në një datë tjetër, duke i lënë kohë sipërmarrjes shqiptare të vlerësojë situatën dhe kushtet e privatizimit.

Energjetika sipas BE

“Për herë të parë në të gjithë historinë e publikimit të raporteve të progresit të BE-së, sektori energjetik shënon një përparim të dukshëm”, tha dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe i Energjetikës, Genc Ruli, në një konferencë shtypi, ku analizoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitet 2007-2008. Ruli vlerësoi se në të gjitha fushat që mbulon METE është shënuar një progres i dukshëm, krahasuar edhe me vitet e kaluara. Sipas tij, progresi është veçanërisht i dukshëm për sa i përket përafrimit të kuadrit legjislativ me direktivat përkatëse të BE-së, ngritjes së institucioneve rregullatore-monitoruese, sipas modeleve dhe eksperiencave më të mira evropiane, si dhe progresit në implementimin e politikave dhe programeve të reja”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›