Mishërimi i Djallit

Ish-komandanti suprem i serbëve të Bosnjës ende konsiderohet si një hero nga shumica e banorëve të Beogradit.
Ata e konsiderojnë atë si një patriot, fushatat e përgjakshme ushtarake të së cilit kanë qenë rezultat i krenarisë kombëtare, dinjitetit dhe dëshirës për hakmarrje për atë, të cilën serbët e cilësojnë si padrejtësi ndaj tyre.
Më shumë se dy e treta e serbëve theksojnë se nuk do të kishin zbuluar vendndodhjen e tij, po ta dinin se ku fshehej, duke e penguar kështu me vullnet dërgimin e tij në Tribunalin e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.
Por kroatët, kosovarët dhe në veçanti e shohin Ratko Mladicin nga një kënvështrim tjetër-si ringjallje e Djallit.
Gjithashtu edhe pjesa më e madhe e njerëzve në Perëndim e shohin Mladicin si njeriun, i cili është përgjegjës për masakrën më të tmerrshme kundër civilëve, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Njeriu që rrethoi Sarajevën, ku për tri vjet e gjysmë vdiqën më shumë se 10 mijë njerëz.
Kasapin e Srebrenicës, vrasësit e të cilit vranë më shumë se 8 mijë meshkuj boshnjakë në vitin 1995 në Srebrenicë.
Ai akuzohet për gjenocid, nxitje të terrorit, pengmarrje, krime kundër njerëzimit.
Ai u fsheh për 16 vjet nga drejtësia dhe jeta e tij në nëntokë me gjasë ka qenë një aventurë më e madhe dhe më absurde, se ajo e Osama Bin Ladenit.
Por këtu përfundojnë paralelet mes këtyre të dyve. Bin Ladeni u vra nga amerikanët në Abbottabad, në Pakistan në maj dhe kufoma e tij u hodh në Oqeanin Indian, ndërsa Mladic u kap nga forcat speciale të policisë serbe, gjithashtu në maj dhe pesë ditë më vonë u dërgua në Hagë.
Gjendja e tij psikike u bë e qartë qysh në paraqitjen e tij të parë para gjykatësve. Ai ngriti zërin dhe toni i tij ishte i njëjtë si gjatë luftës-i ashpër dhe arrogant.
Ai kërkoi që gjykatësit t’i drejtohen me “gjeneral” dhe theksoi se akuzat kundër tij ishin “monstruoze”.
“Ai si duket nuk ka kuptuar asgjë dhe nuk ka treguar as shenjën më të vogël të pendimit”, theksoi Munira Subashic, e cila ishte e pranishme në gjykatë, së bashku me disa nëna tjera nga Srebrenica.
Ajo thotë se kurrë nuk do ta harrojë atë ditë vere në vitin 1995, kur ajo ju lut në gju Mladicit që të kursejë jetën e të birit të saj 18 vjeçar. “Allahu nuk mund të ju ndihmojë tani, por unë mundem. Mos u brengosni zonjë. Atij nuk do t’i ndodhë asgjë”, i premtoi Mladici dhe nuk e mbajti fjalën.
Djali i saj u mor nga ushtarët serbë dhe nuk u pa kurrë më.
Darko Mladic, i biri i kasapit, i sheh gjërat ndryshe.
Ai punon në Beograd dhe e konsideron ende të atin si idhull të tij.
Darko thotë se i ati i tij vetëm e ka mbrojtur vendin, se ai është një person i dashur dhe se nuk ka gjasa që ai të ketë urdhëruar krimet, për të cilat akuzohet.
Por nëse është kështu, atëherë pse gjenerali, të cilit i ka pëlqyer të luante rolin e Zotit, nuk ishte në gjendje të parandalonte vetëvrasjen e vajzës së tij?
Mladici qysh herët e kishte kuptuar se vendi i vetëm, ku shumë shpejtë mund të arrinte famë, ishte ushtria. Ai kreu Akademinë ushtarake në Beograd, në vitin 1965 dhe vazhdoi ngritjen e tij.
Atëbotë, Josip Broz Tito po e mbante të bashkuar Jugosllavinë shumetnike, por nacionalizmi filloi të dalë në sipërfaqe pas vdekjes së tij.
Në maj të vitit 1992, kur Bosnja shpalli pavarësinë, pas referendumit të bojkotuar nga serbët, Mladici u emërua komandant rajonal i serbëve të Bosnjës, të cilët u organizuan në Republikën Serbe.
Me mbështetjen e Beogradit, Mladici filloi rrethimin e Sarajevës.
Mladici ishte ushtar me bindje, një njeri me mision. Luftëtar për vendin e tij dhe për krishterimin ortodoks. Serbët vetëm po e mbronin vetën dhe po zhbënin një padrejtësi historike, thoshte ai.
Ai shpesh kthehej nga fronti dhe vizitonte familjen e tij në Beograd. E preferuara e familjes ishte e bija e tij, Ana.
Por lumturia familjare zgjati deri në vitin 1994.
Kur ajo bëri së bashku me të dashurin e saj një vizitë në Moskë, Ana në televizion pa pamjet e tmerrshme, që vinin nga Bosnja.
I dashuri i saj, Gorani, i cili rridhte nga një familje e aktivistëve për të drejtat e njeriut, e bindi Anën që të bisedojë me të atin për krimet në Bosnje.
Disa ditë më vonë, ajo me revolen e atit bëri vetëvrasje. Natyrisht, Mladici nuk ishte në gjendje të pranojë se vajza e tij kishte bërë vetëvrasje dhe filloi të flasë për vrasjen e saj, edhe pse nuk kishte asnjë dëshmi për këtë pohim të tij.
Ai vazhdoi angazhimin e tij si gjeneral dhe komandant suprem i serbëve të Bosnjës dhe në fushëbetejë u bë edhe më i ashpër dhe jonjerëzor.
Pas masakrës në Srebrenicë, NATO-ja bombardoi Serbinë dhe më 21 nëntor 1995, u nënshkrua marrëveshja paqësore e Deytonit. Mladici nuk shkoi në Deyton dhe nuk kishte ndonjë rol në negociata. Marrëveshja e bëri të përhershme ndarjen e Bosnjës dhe Republika Serbe mbeti autonome.
Më 25 korrik 1995, Tribunali në2 Hagë kishte lëshuar flet-arrestin kundër Mladicit, por ai nuk kishte pse të frikësohej, ngase e kishte një rrjet të gjerë të mbështetësve në Beograd. Kjo i mundësoi atij që për 16 vjet ti ikë drejtësisë. Kishte madje edhe spekulime se ai është mbrojtur edhe nga shërbimet franceze dhe ruse.
Gjërat tjera tashmë dihen. Që nga maji ai gjendet në Hagë dhe aktualisht, ai po mban në minimum kontaktet me të burgosurit tjerë në Sheveningen.
Të vetmit, të cilët kanë të drejtë ta vizitojnë, janë bashkëshortja dhe djali i tij.