Mishtaku: Po shkelet statuti i partisë
Një ditë para konferencës së delegatëve të PS-së së Rrethit Vlorë për zgjedhjen e kryetarit të PS-së së rrethit, nuk kanë munguar konfliktet, kontradiktat, akuzat e deklaratat, madje edhe sherret në ambientet e selisë. Drejtuesit aktualë të PS-së lokale janë akuzuar për mungesë transparence lidhur me procedurat e përcjelljes së emrave që do të garojnë nesër. Njëri prej kandidatëve për kryetar i PS-së së rrethit, Arqile Mishtaku, ish-nënkryetar bashkie për 7 vjet, nuk është lejuar në mesditë të japë një deklaratë për mediat në foltoren brenda selisë së PS-së, çka ka detyruar leximin e saj në shkallët para godinës. Në deklaratë, përpos shpalosjes së platformës së tij një ditë para votimit, ai ka akuzuar drejtuesit e PS-së së Vlorës se kanë uzurpuar Partinë Socialiste nga pushteti lokal. Akuzat kanë vijuar më tej, teksa Mishtaku ka nënvizuar se në listat e votuesve janë rreth 50 punonjës së Bashkisë Vlorë e 15 këshilltarë bashkiakë dhe këta thirren nën komandë për të mbështetur haptazi kandidatin tjetër, duke cenuar kështu statutin e partisë. Por përveç implikimit të pushtetit vendor në tentativën për të kapur edhe drejtimin e degës së PS-së janë vërejtur edhe parregullsi të tjera apo shkelje që dëshmojnë për situatën e krijuar. Kështu, në listat e votimit nga asambleja socialiste e PS-së, Bashkia Vlorë ka nga 2 ose 3 pjesëtarë të së njëjtës familje, se janë rreth 40 votues të rinj, kryetarë organizatash pa u miratuar në strukturat e partisë, sikundër parashikohet nga statuti i PS-së. Nesër, në orën 10:00, delegatët e 13 njësive vendore të Rrethit të Vlorës do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e PS-së për Rrethin e Vlorës, mes tre kandidatëve tashmë të konfirmuar zyrtarisht nga kryesia e PSSH-së: Kujtim Sulce, Arqile Mishtaku e Neime Gjika-Pjero.
#