E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mision i dështuar për satelitin e NASA-s

Tentativa e parë e qeverisë
amerikane për të matur
dioksidin e karbonit në atmosferën
e planetit nga hapësira
ka dështuar dje pas shkatërrimit
të satelitit që u lëshua nga Kalifornia.
Observatori Orbital, me
një vlerë prej 278 milionë dollarësh
ka shpërthyer dhe pjesët
e tij kanë rënë në Oqeanin Atlantik.
Qëllimi i dërgimit të tij në
hapësirë ishte që të përcaktonte
pikat kyçe në planetin tonë ku
dioksidi i karbonit emetohet dhe
absorbohet. Zyrtarët e NASA-s
e konfi rmuan humbjen në një
konferencë për shtyp, duke
deklaruar se i gjithë grupi i
punës është shumë i zhgënjyer
nga ngjarja e papritur. Observatori
ishte lëshuar nga Taurus
XL, një nga platformat më të
vogla të lëshimit të satelitëve
nga ana e NASA-s. Që nga vënia
në funksionim e kësaj platforme
në vitin 1994, nga ajo janë lëshuar
tetë satelitë, gjashtë prej të
cilëve kanë qenë të suksesshëm,
ndërsa dy të tjerët kanë dështuar
në misionin e tyre. Pas
kësaj ngjarjeje, NASA (Agjencia
Amerikane e Hapësirës) do të
ngrejë një bord hetimesh për të
vendosur në lidhje me shkaqet
e problemit. Sipas rezultateve
të hetimeve paraprake, që janë
bërë menjëherë pas shpërthimit,
problemi mund të ketë qenë me
procedurat e nisjes. Humbja e
këtij observatori ka shqetësuar
shumë shkencëtarë që prisnin të
dhëna të vlefshme nga dërgimi i
tij në hapësirë. Sipas tyre, humbja
e një instrumenti të tillë është
një hap e kthim i madh mbrapa.
Shkencëtarët kishin shpresuar
që përmes Observatorit të përmirësonin
modelet klimatike
të Tokës dhe të përcaktonin
me saktësi sasinë e dioksidit
të karbonit që emetohet dhe
mënyrën e absorbimit të saj nga
oqeanet. Një detajim i tillë do të
kishte ndihmuar shkencëtarët
që të bënin parashikime më
të kujdesshme në të ardhmen
për çështjet klimatike. Deri
tani dihet se rreth 50 për qind e
dioksidit të karbonit të emetuar
nga burimet njerëzore qëndron
në atmosferë, ndërsa pjesa tjetër
thithet nga toka dhe oqeanet.
Tani që Observatori u prish, vëmendja
e të gjithë shkencëtarëve
është drejtuar te sonda japoneze
"Gosat", e lançuar në muajin
janar. Qëllimi i saj është matja
e sasisë së aerosolëve në atmosferën
e Tokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›