Harta e ndarjes së pasurive të paluajtshme, abuzime në Tushemisht
Ke 500 metra truall, jep ca lekë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe kjo sipërfaqe të dyfishohet. Fiton 1000 m2 tokë dhe madje e fiton edhe në zonë turistike. Kjo ka ndodhur në zonën e Tushemishtit, ku nga një verifikim që kanë bërë specialistët e Kontrollit të Lartë të Shtetit është konstatuar se janë ngritur shumë ndërtesa pa leje ndërtimi. Madje, nëse hyn dhe kontrollon në regjistrat e Hipotekës gjen edhe ndryshime të hartës së pasurisë. Disa vjet më parë, një banor i Tushemishtit, Kolo Tili, ngriti dy ndërtesa dykatëshe në zonën e Tushemishtit. Pas zgjedhjeve të pushtetit vendor në 2007-ën, kryetari i ri i Komunës Buçimas verifikoi pronësitë e komunës. Ai konstatoi që këto ndërtime janë të paligjshme, madje njëra është ngritur në një sipërfaqe toke që e ka zaptuar, pra në tokën e shtetit. Sipas kryetarit të Komunës së Buçimasit, zotit Roshi Tollozhina, ky person ka zaptuar 800 m2 tokë shtetërore. "Ky është një problem që jemi në ecuri e sipër, por nuk po i japim dot zgjidhje. Është një konflikt i hershëm, duke parë edhe resurset që ka Tushemishti si zonë turistike", shpjegon kryetari i Komunës së Buçimasit. Ai na konfirmon se nga të gjitha verifikimet që kanë bërë ata si komunë dhe dokumentacionin që kanë në dispozicion, këto ndërtime janë të paligjshme dhe janë zaptuar rreth 800 m tokë. Këto ndërtime kanë zënë edhe rrugën që shërben për zhvillimin e turizmit në zonën e Tushemishtit. Përfaqësuesit e komunës kanë vajtur disa herë për të bërë verifikimin në terren, por janë ndaluar forcërisht nga banorët. Edhe policia ndërtimore ka mbajtur një procesverbal dhe ka konstatuar që këto ndërtime janë të paligjshme, madje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport është shprehur që janë ndërtime pa leje. Nga ana tjetër, kryetari i komunës është i bindur se është bërë edhe ndonjë ndryshim në hartën e pronës në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Por, prokuroria ka kohë që nuk merr masa dhe nuk reagon, edhe pse kryetari i komunës e ka vënë në dijeni disa herë. Për të vërtetuar këto pretendime, gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të Pogradecit. Regjistruesja Kleda Shyta na tregoi hartat origjinale të pasurisë në fjalë në Tushemisht. Në hartën manuale që është më e rëndësishmja pasi tregon origjinën, pasuria e zotit Kolo Tili është 500 m2 në formë trekëndore. Ndërsa në hartën kompjuterike është bërë një falsifikim i kësaj harte. Pasuria e zotit Kolo Tili rezulton 500 metra më e madhe. Regjistruesja konfirmon që është një ndryshim i dukshëm. Fillimisht pasuria 13/1 nga kartela e pasurive është 500 m2 sipas aktit të marrjes në pronësi dhënë përfaqësuesit të familjes bujqësore z. Kolo Piro Tili me aktin e marrjes së tokës në pronësi në dt. 4.10 1991. Më vonë në vitin 2004 e njëjta kartelë është hedhur si regjistrim më vete, si regjistrim fillestar në një kartelë tjetër. Arsyen se përse është bërë kjo, regjistruesja e Pogradecit nuk mund të na e shpjegojë, por tregon se nuk kishte pse të hapej kartelë e re për këtë pasuri.