E Diel, 1 Nëntor 2026

Mënyra e përzgjedhjes së kreut të PD-së. Fituesi zgjidhet nga konferenca e Tiranës

Duke iu referuar udhëzimit të Partisë Demokratike në momentin kur kryetari Sali Berisha hodhi idenë se do të pranojë garë të lirë për kreun e ri të partisë në Tiranë, kandidatët kanë të drejtë të hyjnë në garë me propozim të cilitdo seksion. Deri tani në garën për PD-në e kryeqytetit janë më shumë se 12 kandidatë. Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi, Edi Paloka, Lajla Përnaska, Gjergj Bojaxhiu, Shaban Memia, por edhe ministrat Sokol Olldashi, Bujar Nishani, Majlinda Bregu, zv/ministri Ferdinand Poni, Arta Sakja dhe shumë të tjerë janë bërë pjesë e garës për të drejtuar partinë në Tiranë. Nga moria e shumtë e kandidaturave të propozuara do të jetë kryesia e madhe ajo që në bazë të statutit të partisë ka të drejtën e përzgjedhjes së dy kandidaturave të vetme për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Më pas, dy kandidaturat e seleksionuara nga kryesia i përcillen konferencës së degës së PD-së, e cila voton për një emër të vetëm. Dhe kush rezulton të marrë vota më shumë, do të zyrtarizohet dhe si kryetar i demokratëve të kryeqytetit.

Statuti i PD-së thotë se kryesia e partisë mund të vendosë grupimin e disa seksioneve në njësi më të mëdha organizative dhe që mund të përkojnë me territoret administrativë të njësive lokale, apo me territoret elektorale. Më pas janë grup-seksionet, që do të përbëhen nga disa seksione dhe do të kenë rolin e nëndegëve. Në organizim përfshihen strukturat në rang rrethi, të cilat janë identike me rolin që luajnë degët aktuale të partisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›