PS, Leskaj e Balla takojnë ministrat e qeverisë "Thaçi"
Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, dhe kryetari i Komisionit të Integrimit pranë Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, pritën dje në një takim tre ministrat e qeverisë së Kosovës, përkatësisht Fatmir Limajn, ministër i Transporteve, Ahmet Shalën, ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zhargun ministër i Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula. "Qeveria jonë pas zgjedhjeve të qershorit, do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet me Kosovën, duke ndërtuar me qeverinë e Kosovës një partneritet strategjik dhe një proces bashkëpunimi të veçantë për integrimin evropian dhe mirëqenien e popullit shqiptar në të dyja anët e kufirit", u shpreh Leskaj. Teksa shtoi se "ne jo vetëm do të përfundojmë rrugën Durrës-Kukës, por do e transformojmë rrugën e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike në një aks strategjik zhvillimi për të mirën e njerëzve tanë e të gjeneratave që vijnë". "Ashtu siç tha edhe zonja Leskaj, ne patëm një vizitë me PS-në, në kuadrin e vizitave në Tiranë. Jemi të kënaqur që gjejmë një konsensus si të pozitës dhe të opozitës, në drejtim të projekteve të Kosovës", u shpreh ministri Fatmir Limaj.