Kreu i PD-së së kryeqytetit, zgjedhjet rrezikojnë shtyrjen
Zbehet drita jeshile për zgjedhjet në Partinë Demokratike në Tiranë. Pezullimi i zgjedhjes së delegatëve dhe mospërcaktimi i një date për mbajtjen e konferencës së Tiranës të Partisë Demokratike ka sjellë alarmin se zgjedhja e kreut të ri të PD-së në kryeqytet do të bëhet pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Partia Demokratike duket se ka ndezur "semaforin e kuq" për të ndaluar çdo lloj lëvizje që çon në konferencën e Tiranës. Sipas burimeve brenda selisë blu, zgjedhjet në nëndegë do të vazhdojnë, kurse puna për mbajtjen e konferencës është bllokuar dhe bashkë me të edhe zgjedhja e delegatëve. Pezullimi i zgjedhjeve në PD-në e Tiranës i lë hapësira kreut të demokratëve në kryeqytet, Sokol Olldashit, të mbajë këtë funksion edhe gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka, sqaron se zgjedhjet për pasardhësin e Sokol Olldashit në PD nuk do të shtyhen, por nuk jep të dhëna për mbajtjen e konferencës së kryetarëve. "Drejtuesit e PD-së, si Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode janë të vetmit që mund të marrin vendimin për të shtyrë zgjedhjet në PD-në e Tiranës", u shpreh sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka. Sekretari organizativ bëri me dije se puna për zgjedhjen e delegatëve nëpër sesione është duke vazhduar, ndërkohë që, nga ana tjetër, kandidatët demokratë për postin e drejtuesit të PD-së në Tiranë pohojnë se deri tani nuk ka asgjë të re për garën e kreut të demokratëve në kryeqytet. Sipas kandidatëve, konferenca e PD-së për Tiranën ishte parashikuar të zhvillohej në fillim të shkurtit, por sekretari organizativ i PD-së ka bërë me dije se ende nuk ka një datë konkrete për mbajtjen e saj. Kjo konferencë parashikohet të fusë në votim jo vetëm kandidatët për kryetarin e degës, por edhe anëtarësinë e re të degës. Kandidatët Besnik Mustafaj dhe Lajla Përnaska shprehen se nuk kanë asnjë informacion deri tani nga drejtuesit e selisë blu për mbajtjen e konferencës së Tiranës. "Nuk kam informacion nga drejtuesit e PD-së për garën në Tiranë. Deri tani nuk është parashikuar asgjë në axhendë për mbajtjen e një mbledhjeje të konferencës së Tiranës, apo të kryesisë", është shprehur një prej kandidatëve Besnik Mustafaj, i cili shton se është informuar në rrugë informale mbi moszhvillimin e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike në Tiranë. Një tjetër kandidate, Lajla Përnaska, shton se "selia blu është duke punuar për zgjedhjet në nëndegë", por pranon se "ende nuk ka asgjë të re për periudhën se kur do të zgjidhet kryetari i ri i PD-së në kryeqytet". E gjithë kjo heshtje vendos në dilemë zhvillimin e garës brenda kryeqytetit në partinë më të madhe të vendit përpara zgjedhjeve parlamentare. Deri në këtë pikë mund të themi se procesi qëndron i bllokuar dhe këtë e përforcon edhe fakti që strukturat vendimmarrëse në PD nuk kanë zhvilluar asnjë mbledhje për të diskutuar kandidaturat e propozuara nga baza e partisë. Burime pranë selisë blu shprehen se tashmë zgjedhjet dhe propozimet nga strukturat e bazës së partisë janë drejt përfundimit, por nuk ka një datë fikse se kur do të zhvillohet konferenca e PD-së në kryeqytet, e cila duhet të votojë për emrat e kandidatëve. Në bazë të statutit të PD-së, emrat e propozuar nga seksionet dhe grup-seksionet i përcillen kryesisë qendrore, e cila duhet të japë miratimin për kandidatët e propozuar. Më tej, kandidatët e miratuar nga kryesia qendrore do të zgjidhen nga delegatët e mandatuar prej strukturave të PD-së.