E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mision i (pa) mundur

Arsenalit i nevojitet të barazojë rekordin e rikthimit më të madh në histori të Ligës së Kampionëve për të eliminuar Milanin dhe siguruar kualifikimin në çerekfinale. Por, Rossonerët kanë epërsi të thellë prej katër golave dhe vështirë se do të lejojnë të befasohen. Në duelin tjetër, Benfica synon të vazhdojë bilancin e mirë në shtëpi dhe të fitojë ndaj Zenit St Petersburg, që ka avantazh 3-2 nga takimi i parë.

Pas ndeshjeve miqësore ndërkombëtare që ishin në qendër të vëmendjes në mesjavën e kaluar, Liga e Kampionëve kthehet të martën mbrëma me ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales. A

Arsenal pret Milanin në Emirates Stadium në disavantazh të thellë prej katër golave nga dueli i parë në San Siro, kurse Benfica synon të rikthejë rezultatin në favor të saj si nikoqir i Zenit St Petersburgut, që ka epërsi prej 3-2.

Arsenali, për të vazhduar rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, duhet të bëjë atë që deri më tani në histori të garës kanë arritur të bëjnë vetëm tri skuadra, rikthimin e disavantazhit prej katër golave.

I mposhtur 4-0 në Itali, ekipi i Arsene Wengerit duhet të barazojë rekordin e rikthimit në Ligën e Kampionëve, të cilin e mban Deportivo La Coruna e që kishte mposhtur pikërisht Milanin në çerekfinalen e vitit 2003/04.

Rossonerët janë të pamposhtur nga dy vizitat në Arsenal, por trajneri Massimiliano Allegri mbetet i kujdesshëm. “Dua të theksoj se ende nuk jemi kualifikuar”, tha ai.

Fjalë të mençura, edhe pse Arsenali është kualifikuar vetëm dy herë në gara të UEFA-s, pasi kishte humbur ndeshjen e parë në udhëtim. Një tjetër statistikë në favor të Milanit.

Në duelin tjetër, Benfica realizoi dy gola në udhëtim – i dyti prej të cilëve u duk se kishte siguruar një barazim të vonë, derisa Roman Shirikov të realizonte golin e fitores për vendasit në minutën e 88-të – që i kanë lënë ata në pozitë të mirë në Lisbonë, ku rekordi prej 15 fitoreve, tri barazimeve dhe vetëm një humbjeje në 19 ndeshjet e fundit të garave evropiane në shtëpi do të shtojë besimin te ekipi i Jorge Jesus.

Ndërsa trajneri i Zenit St Petersburg, Luciano Spalletti, nuk do të mund të llogaritë në Dannyn – i cili përfundoi sezonin pas dëmtimit të ligamenteve të gjurit – dhe nuk mund të angazhojë përforcimin e ri Andrey Arshavin, i ardhur në formë huazimi nga Arsenali. Zenit do të shpresojë që e marta do t’i jep një shtytje shtesë në sezonin aktual.

1/8 e finales :

Arsenal-Milan 20:45

Benfica-Zenit 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›