E Diel, 1 Nëntor 2026

NBA Kobi Brajant fitoi duelin me Lebron Xhejmsin

Në “Stejpëlls Sentër” dihet kush është zot. Të paktën këtë herë, Kobi Brajant i bëri mirë detyrat e shtëpisë ndaj Lebron Xhejmsit dhe Majemit të tij, ndërsa Lejkërsat fituan derbin e NBA-t me rezultatin 93-83.
Brajant shënoi 33 pikë në një ndeshje që nuk pati shumë kosha, ndërsa Xhejms realizoi 25. Ylli i Majemit doli më mirë me topat në tabela, duke kapur 13 dhe tek asistët, duke dhënë 7, por kjo nuk e ndaloi skuadrën vendase. Për fat të keq, Duejn Uejd luajti dobët për ekipin nga Florida.
Çikago fitoi në fushën e Filadelfias, me 5 pikë epërsi, 96-91. Derrik Rouz ishte sërish më i miri me plot 35 pikë duke dhuruar edhe 8 asistë. Joakim Noah shënoi 11 dhe kapi 18 topa në tabela, ndërsa Karlos Buzer realizoi 13 pikë. Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi për Bullsat, ndërsa vendasit nuk mundën të rezistonin deri në fund.
Në Boston, skuadra vendase e Sëlltiksave pati nevojë për kohën shtesë për të mposhtur Nju Jorkun, 115-111. Rejxhën Rondo ishte i mrekullueshëm duke shënuar 18 pikë, kapur 17 topa në tabela dhe dhënë 20 asistë, ndërsa Pol Pirs shënoi 34 pikë të tjera për Bostonin. Rondo bëhet i treti në historinë e NBA-t që kap të paktën 17 topa dhe jep të paktën 20 asistë. Para tij e kanë bërë Uillt Çembërlen më 1968 dhe Mexhik Xhonson më 1983. Për Nju Jorkun, nuk shkëlqeu Xheremi Li, por Karmelo Entoni që shënoi 25 pikë.
Në ndeshjet e tjera, Denver fitoi 99-94 në San Antonio, Feniks mundi Sakramenton 96-88, Klipersat fituan në Hjuston 105-103, Nju Xhersi triumfoi në Sharlotë 104-101 dhe Toronto mposhti në Kanada Golden Stejtin, 83-75.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›