E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhon Kirkpatrik fiton garen e qethjes se deleve

Ka edhe një kampionat botëror të kësaj natyre, një kampionat për qethjen e deleve. Në një vend tipik blegtoral si Zelanda e Re, është zhvilluar kjo garë krejt e veçantë dhe argëtuese ku fitues ka dalë skocezi Xhon Kirkpatrik.
Ky “malësor” skocez ka mposhtur konkurrencën nga 25 vende të botës duke fituar gërshërët e arta. Nuk bëhet fjalë për çmime të mëdha, pasi Kirkpatrik ka fituar vetëm 3 000 dollarë neozelandesë, që do të thotë 2 500 euro, gjithsesi për një qethje nuk janë pak.
Kjo është hera e katërt në 10 vitet e fundit që titullin botëror e fiton po ky bari, ndërsa thotë se e ka pasur si qëllim që ta fitonte kampionatin botëror e pas kësaj ndihet shumë i lumtur.
Kirkpatrik mposhti ish-kampionin e botës të vitit 2010, një neozelandez që quhet Kem Ferguson.
Gara bazohet tek shpejtësia dhe saktësia e qethjes, madje me dy mënyra, pra me makinë elektrike dhe me gërshërë dore.
Ky është një kampionat që zhvillohet çdo dy vjet dhe kthehet në Zelandën e Re për herë të parë që nga viti 1996 për kënaqësinë e madhe të bashkësisë blegtorale të vendit të largët në Paqësor.
Zelanda e Re ka 10 herë më shumë dele sesa njerëz dhe po lobon që qethja e deleve të bëhet sport olimpik. Besohet se edhe barinjtë shqiptarë mund të paraqiten shumë mirë në një kampionat të tillë, pasi edhe Shqipëria ka qenë jetë e mot një vend blegtoral.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›