Tomori fitoi ndeshjen permbyllese te javes se 15-te te Superliges

Berati feston për fitoren e Tomorit të tij, madje është një festë e gjitha dhe tradicionale shqiptare, me tifozë me daulle që kanë guximin dhe lirinë që të kalojnë gardhin dhe të hyjnë në pistën e stadiumit, siç ua do zemra. Në një stadium me tapet të ri, por jo edhe aq të përshtatshëm, Tomori arriti fitoren e katërt në Superligë, me shifrat 4-1 ndaj Pogradecit, duke vuajtur pak deri tek goli i parë, por duke mos diskutuar më asgjë për pjesën e mbetur të ndeshjes. Java e 15-të e Superligës u mbyll pra në Berat, ku vendasit u barazuan me pikë me Pogradecin, nga 14, duke përfituar sidoqoftë nga dënimi që i është dhënë nga komisionet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Bakiu ishte autor i golit të patrë 11 minuta para fundit të pjesës së parë, ndërsa Klodian Arbëri i dërgoi skuadrat në pushim me shifrat 2-0. Në nisje të së dytës, Jahaj shkurtoi diferencën për miqtë, në 52’, por një realizim shumë i bukur sërish i Klodian Arbërit bëri që të rivendosej diferenca 2 golëshe. Minutat e fundit ishin për Bishajn, pasi mbrojtësi i qendrës fillimisht shënoi golin e katërt dhe vetëm 5 minuta më vonë, u përjashtua nga loja. Më parë, ai mori karton të verdhë nga festimi i golit, ndërsa fatale ishte një ndërhyrje e rëndë ndaj një kundërshtari 8 minuta para fundit të takimit. Fitore e merituar, pra, e Tomorit, duke intriguar fundin e tabelës, me 4 skuadra që kanë nga 14 pikë. Poshtë tyre janë Apolonia me 10 e Dinamo me vetëm 2 pikë.