E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mision i vështirë

Inter do të ketë mision të vështirë në Gjermani, ku do të mundohet ta përmbysë epërsinë e Schalkes, të krijuar në ndeshjen e parë. Për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Nerazzurrëve u nevojitet një fitore me 4 gola dallim. Punë edhe më të vështirë se italianët do të ketë Tottenhami, i cili do ta ndjekë misionin e (pa)mundur për ta eliminuar Real Madridin, i cili ka kapital nga ndeshja e parë. Nga Express më 13 prill 2011 në ora 10:01

Kampionin aktual të Evropës, Inter, e pret një mision i vështirë në Gjermani, për të kaluar eventualisht në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Nerazzurrët u turpëruan në shtëpi javën që shkoi nga Schalke, duke humbur 5:2.

Tash, kampionit italian i nevojitet një magji, pasi duhet të fitojë 4:0, për të ecur përpara. Futbolli gjithmonë ka ditur të sjellë mrekulli të ndryshme, e në këtë besojnë edhe italianët, të cilët assesi nuk do të shkojnë në Gjermani me ‘flamur të bardhë’.

“Ne besojmë, shkojmë në Gjermani për t’u kualifikuar. Asgjë nuk është e pamundur”, thonë njëzëri futbollistët Maicon e Esteban Cambiasso, të cilët shënuan nga një gol, në fitoren e fundjavës ndaj Chievos në Serie A.

“Në futboll mund të ndodhë gjithçka, çdo ëndërr është e mundshme. Vdekja është e vetmja gjë e cila nuk ka ilaç”, thotë sulmuesi Samuel Eto’o.

Schalke do të jetë e hendikepuar pa sulmuesin Jefferson Farfan, i cili ishte njëri prej më të mirëve në ndeshjet e fundit. Ai është i suspenduar. Mirëpo, klubi gjerman do të përqendrohet te sulmuesi kryesor, Raul Gonzalez, i cili është veteran i këtij kompeticioni.

Qendërmbrojtësi Benedikt Hoewedes kërkon nga bashkëlojtarët e tij që të jenë syhapur, pasi që, sipas tij, kampioni aktual i Evropës është i papërshkrueshëm.

“Ne nuk ishim shumë të sigurt në Milano, por e dominuam lojën. Duhet të kemi kujdes. Inter do të mundohet të bëjë gjithçka mundet dhe do t’i përqendrojë të gjitha forcat në sulm. Nuk është sekret se ata kanë sulm të shkëlqyeshëm dhe kualitativ. Ne duhet të jemi vigjilent”, thotë Hoewedes.

Schalke është përmirësuar dukshëm që nga arritja e trajnerit Ralf Rangnick, i cili e zëvendësoi Felix Magathin. Fundjavën që shkoi, ky ekip fitoi 2:0 ndaj Wolfsburgut, në Bundesliga. Schalke e kërkon gjysmëfinalen e parë në histori të klubit.

Në sfidën tjetër, Real Madrid do të udhëtojë drejt Anglisë për ta mbrojtur rezultatin nga ndeshja e parë me Tottenhamin (4:0).

Për londinezët, përmbysja e rezultatit duket si një mision i pamundur, por ata do të tentojnë me të gjitha forcat. Trajneri Jose Mourinho ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë të kujdesshëm, pasi që, sipas tij, anglezët dinë të luftojnë deri në momentet e fundit.

Trajneri portugez do të mund të llogaritë në të rikthyerin Leite Kaka, i cili shënoi dy gola fundjavën që shkoi ndaj Athletic Bilbaos, në La Liga.

Çerekfinalet:

E mërkurë
Schalke 04 – Inter20:45
Tottenham – Real Madrid 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›