E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni “Meta”

Preç Zogaj 

Zgjedhjet e 28 qershorit nuk po prodhojnë asnjë fitues, por, si për të treguar se demokracisë nuk i shterojnë as në ditë të vështira mjetet e vetëmbrojtjes, ato, për fat, po prodhojnë mundësinë e artë të ekuilibrimit të pushtetit dhe rikthimit të vendit në standartet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo mundësi, që është e barabartë me një mision historik, i ka rënë në dorë Lëvizjes Socialiste për Integrim të zotit Ilir Meta. Me katër deputetët e fituar në Tiranë, Durrës, Fier dhe Berat, Meta është thirrur në kauzë të japë disa zgjidhje të mëdha për tipin e qeverisë së re dhe për kushtet e integrimit tonë në Europë. Fati nuk mund t’i krijojë një shans më të shkëlqyer një politikani të ri që mëton të shohë larg.  Por si do të sillet Ilir Meta dhe LSI me katër mandatet e fituara me stërmundim, në një garë tmerrësisht të pabarabartë si kjo e 28 qershorit, që u projektua dhe u interpretua deri në fund për të vrarë politikisht gjithçka dhe gjithkënd që merrte frymë jashtë orbitës se dypartitizmit PD-PS?
Në një skenë politike të ngrirë dhe sureale, vetëm Meta lëviz, vetëm ai është i lirë. Në të djathtë sheh Sali Berishën në mundimet e Tantalit mitologjik, që nuk mund të pijë dhe të shuajë etjen me ujin që i vjen deri afër mjekrës. “Aleanca e Ndryshimit” e drejtuar nga Berisha numëron shtatëdhjetë deputetë, por i duhet edhe një për të krijuar qeverinë e re; i duhet një për të filluar se pastaj dyshi dhe treshi gjendet më kollaj. Në të majtë sheh Edi Ramën, i cili përpëlitet pothuajse në të njëjtat mundime dhe ndoshta edhe në pendim me 66 deputetët e Aleancës së tij.
I shpaguar prej fatit, Meta i ka zënë në ngërç dy kundërshtarët e tij kryesorë. Nuk flet. Ka thënë se nuk do të flasë pa përfunduar zgjedhjet. Dhe ne nuk e dimë çdo të bëjë, nga do t’ia mbajë. Nuk e dimë a do të bashkohet me PS-në për t’i dhënë fund qeverisjes së qendrës së djathtë të zotit Berisha? Apo do të bashkohet me koalicionin e së djathtës, duke vënë kusht caktimin e një kryeministri tjetër? Apo do të përfshihet pa kushte në një qeveri “Berisha dy”? Apo do të investohet për një qeveri teknike kalimtare dhe të paanshme që do të na çojë në zgjedhje të parakohshme? Gjithsesi, duke njohur pozicionin, natyrën dhe ecurinë politike të LSI-së, mund të themi se për të marrë ose jo në shqyrtim idenë e bashkëqeverisjes më Berishën, Meta mbetet i varur nga vlerësimi ndërkombëtar për zgjedhjet. Nëse vlerësimi ndërkombëtar për zgjedhjet do të jetë pozitiv, ai do të jetë nën joshjen dhe trysninë e platesë berishiane për t’u përfshirë në qeveri “në emër të interesit publik dhe kombëtar”. Nëse zgjedhjet do të vlerësohen si problematike, do të kemi skenar tjetër. Gjasat janë që vërejtjet e ndërkombëtarëve, që u njoftuan në raportin e tyre paraprak, jo vetëm do të barten, por mund edhe të shtohen në raportin përfundimtar. Nëse kjo ndodh, dalim në përfundimin se Meta do të ketë në tryezë  një arsye parimore për të kundërshtuar bashkëqeverisjen me Berishën: cenimin e standardeve zgjedhore. Ta kemi të qartë: ai e di si janë bërë zgjedhjet, partia e tij ka marrë shumë më tepër vota se mandate, që do të thotë se LSI është viktima më ekselente e një sistemi të mbyllur dhe të kontrolluar në çdo qelizë nga PD dhe PS. Por Meta do ta përdorë notën e ndërkombëtarëve si një alibi që i jepet falas. Dhe pse të mos e përdorë, pse të mos i heqë qafe “parimisht” ndërmjetësit dhe sekserët që do të vërshojnë drejt tij?
Në të vërtetë nuk janë standartet e zgjedhjeve të radhës dhe as inatet me Berishën apo Ramën ato që do të përcaktojnë qëndrimin e Metës. Në këtë moment, ma do mendja se ai është përtej inateve, përtej romantizmit politik. Qëndrimi i tij do të burojë nga vendi i natyrshëm i LSI-së në spektrin politik, nga pozicioni i jashtëzakonshëm i LSI-së në parlamentin e porsazgjedhur dhe, së fundi, nga mundësia e një suksesi të ri, e një roli të ri në jetën e vendit. Në lidhjen e këtyre realiteteve mund të gjejmë vendimin që do të marrë Ilir Meta me shokë. Në një anë atyre u duhet të ruajnë identitetin e partisë për sot dhe për nesër; në anën tjetër u duhet të vlerësojnë peshën e jashtëzakonshme të katër mandateve që kanë në dorë. Me to mund të bëjnë mrekullira për vendin dhe për vete.
Në një rrethanë tjetër, katër mandatet e kësaj partie do të shërbenin vërtet si gjilpëra e peshores për qeverinë e re. Por këto katër mandate janë marrë në kushte shumë të veçanta. Si të gjitha partitë e tjera pa komisionerë, LSI ka luajtur në fushë të huaj, pa spektatorë, pa arbitër. Formula e përllogaritjes së mandateve e ka penalizuar. Numërimi gjithashtu. Siç erdhën punët, të duket gati-gati e pabesueshme që LSI mbeti gjallë. Të duket se një arsye madhore i shpëtoi ato katër mandate nga ingranazhi i pamëshirshëm dypartiak. I shpëtoi për të vënë drejtësi në zgjedhje. Në këto kushte, ato katër mandate nuk janë thjesht katër mandate të LSI-së, por të mijëra e mijëra zgjedhësve të papërfaqësuar në Kuvend për shkak të sistemit dhe manipulimeve. Ato mandate kanë dhe duhet të kenë këtë peshë dhe këtë vlerë në ndërgjegjen e deputetëve të nderuar të LSI-së. Mbi ato katër vota të arta ka rënë papritur një barrë më e madhe dhe më e vyer se sa plotësimi i shumicës qeverisëse, qoftë djathtas, qoftë majtas. Ilir Meta e di mirë këtë. Atij i ka rënë shansi i çlirimit të zgjedhjeve shqiptare nga një sistem mbytës, nga një administratë e rreshtuar si asnjëherë tjetër si detashment elektoral, nga një rrjet i gjerë interesash që në shumëzimin dhe shumëfishimin e tyre arritën deri atje sa të çonin individë me precedentë penalë apo edhe vrasës në qendrat e votimit, pranë dhomave të fshehta. Në këtë kontekst, kërkesat apo joshjet për t’i dhënë atij dhe miqve të tij poste dhe benefice në shkëmbim të votave, besoj se janë fyese për ndërgjegjen politike të zotit Meta.
Ai e ka provuar herët të jetë deri kryeministër i vendit. E dimë të gjithë se për të mbrojtur e zhvilluar integritetin e tij politik, ka sakrifikuar postin e zëvendëskryeministrit dhe karrierën e sigurt në një parti të madhe si Partia Socialiste. Është i ri në moshë, nuk ka arsye të ngutet, karriera e tij në krye të forcës që krijoi pas divorcit me Fatos Nanon na tregon një politikan në nisje të vazhdueshme, kundër rrjedhës. Rrethanat nuk e kanë ndihmuar ende të mbërrijë atje ku ka synimin, por është nga të paktët, për të mos thënë i vetmi shizmatik që nuk është kthyer prapa, që nuk është dorëzuar. Vetëm naivët do të besonin se Ilir Meta kërkon pak dhe mund të shpërdorojë shansin që i është dhënë në zgjedhjet e 28 qershorit. Atij i është dhënë mundësia të fitojë kohë për t’u rritur, ashtu siç ka dëshiruar e dëshiron: me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Atë që ai dhe shokët e tij e kanë kërkuar me grevë urie në një mjedis politik parlamentar të shurdhër dhe cinik, kanë mundësi ta realizojnë pa sakrifica, pa zhurmë, me duar të pastra. Një qeveri teknike, me një mandat të përcaktuar qartë, zgjedhje të parakohshme, në barazi kushtesh për të gjitha palët, me një administratë që do të lihet e lirë në punën dhe në zgjedhjen e saj, me media të paanshme, me komisionerë jopartiakë, me qendra votimi ku përveç zgjedhësve dhe komisionerëve nuk ka njerëz të tjerë - kjo mund të jetë njëra prej zgjidhjeve. Por jo e vetmja. Me siguri, pasi ka kaluar i papërvëluar plotësisht në flakët e kësaj fushate elektorale, Ilir Meta po ndërgjegjësohet dhe po mendohet se ç’duhet të bëjë. Me kapriçiot e saj të çuditshme, por edhe me fillin e një arsyeja të lartë, historia ka lënë në supet e këtij politikani një mision. Nuk ndodh shpesh, madje ndodh shumë rrallë. Përpara ëndrrës sonë evropiane, LSI është më e vlefshme sot me katër deputetë se sa do të jetë, fjala vjen, pas një vitit me 20 deputetë. Misionet nuk janë çështje numrash. Janë çështje të perceptimit dhe veprimit, thoshte një politikan i vjetër francez, që pat hyrë në politikë pa shumë bujë, por u ngrit në lartësinë e ndryshimit që Franca priste prej tij. Tani ai prehet në amshimin e përjetshëm. Emri i tij është Fransua Miteran.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›