Rikthim në indentitet për rrugicat e Kalasë së Elbasanit
Lagjia “Kala” në qytetin e Elbasanit, një nga lagjet më të vjetra pritet të kthehet pas disa vitesh një nga lagjet më të preferuara për t'u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me Insitutin e Monumenteve të Kulturës, Universitetin “Aleksander Xhuvani” dhe Universitetin e Pizës (Itali) ka përfunduar studimin mbi njohjen ruajtjen dhe evidentimin e vlerave arkeologjike, historike dhe urbane të lagjes “Kala”, që përcakton kriteret e ndërhyrjes në këtë lagje, nga më të vjetrat në qytet. Për këtë qëllim, bashkia ka akorduar fondin prej 7 milionë lekësh, për shtrimin me kalldrëm të rrugëve të lagjes, që do të nisë nga porta e Kalasë, deri te Kisha “Shën Maria”. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini tha dje për ATSh-në se “Në përfundim të studimit mbi njohjen, ruajtjen dhe evidentimin e vlerave arkeologjike, historike dhe urbane të lagjes Kala, janë përcaktuar edhe një sërë kriteresh për ndërhyrje në këtë zonë”. Sipas tij, për lagjen Kala, në të ardhmen do të zbatohen dhe projekte të tjera për përmirësimin total të infrastrukturës, me qëllim rritjen e atraktivitetit të kësaj zone historike për thithjen e turistëve vendas e të huaj. Rrugët e lagjes Kala kanë qenë të shtruara me kalldrëm, por me kalimin e viteve gurët kanë dalë nga vendi dhe shtrimi me kalldrëm pritet t'i rikthejë lagjes identitetin. Kalaja, ose Keshtjella e Elbasanit përfaqëson një “Castrum statum”, qendër e një legjioni romak dhe vetë kështjella e Scampis-it (Elbasanit) është ndërtuar në kohën e sundimit të perandorit Dioklecian tërësisht sipas teknikës romake opus mixtum. Muri i kësaj periudhe ndërtimi me trashësi 3 m gjendet kudo në nivelin e poshtëm të kështjellës. Gjatë kohës së sundimit të perandorit bizantin Justinian (527-565) kështjella ka pësuar riparime të rëndësishme. Rindërtimi i plotë i Kalasë u krye nga sulltan Mehmeti II në verën e vitit 1466. Përmes Kalasë në drejtimin lindje - perëndim kalon edhe Via Egnatia, e cila mendohet se është ndërtuar në vitet 146-120 p.e.s. Në zonën e Kalasë ndodhen disa objekte të rëndësishme me vlera të mëdha historike dhe kulturore, si Xhamia Mbret, Kisha e “Shën Mërisë”, shkolla e Kalasë, Hamami. Brenda saj janë dhe banesa karakteristike të shekullit XVIII, kryesisht banesa me çardak, tipi i të cilave në të gjithë Shqipërinë e Mesme gjendet vetëm në Elbasan, si edhe kulla e sahatit.
3 Korrik 2009