E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behar Gjoka: “Rileximi, më intereson vepra, e ndarë nga Kadareja”

Studiuesi i njohur tregon për veprën e Kadaresë dhe mënyrën e studimit të tekstit letrar

Petrika GROSI
Studiuesi Behar Gjoka flet në intervistën e sotme dhënë për gazetën “Albania” mbi mënyrën se si ai e ka rilexuar Kadarenë dhe studimin e tij më të fundit, tashmë pjesë e vitrinës së librit, botim që vjen nën titullin “Kadare i rilexuar”.

Kadare i rilexuar, çfarë do të thotë?
Do të thotë rikthim dhe rimarrje e teksteve të botuara para dhe pas ’90, me dy synime; të rizbuloj vlerat e prekura në leximet e herëpashershme për krijimtarinë letrare të të dy kohëve dhe të kërkoj të zbuloj vlerat e tjera, të cilat lidhen sidomos me praktikën e rishkrimit si variante letrare të një pjese të konsiderueshme të prozës së autorit. Në teorinë letrare, rileximi presupozon një rivlerësim të një letërsie apo të një autori, duke u nisur tashmë vetëm nga analizat dhe shqyrtimi si tekst letrar.

A ju intereson jeta e shkrimtarit në këndvështrimin tuaj studimor?
Mendoj se jeta e shkrimtarit, në raport me tekstet nuk ka lidhje dhe si pasojë, jeta e shkrimtarit nuk më intereson. Në fakt, vepra letrare e shkruar kohë pas kohe, në një farë kuptimi e përfshin jetësoren, biografiken, kontekstin kohor, shkrimor dhe leximor. Pra, ajo pjesë që është futur nën ngrehinën letrare, pa dyshim që është pjesë e shqyrtimit dhe e verifikimit, por autori dhe biografia e tij (sipas konceptit shqiptar me një rëndesë në trajtimin e jetësores, sa shpesh lexuesit lexojnë fotografinë apo kopertinën) është e panevojshme të vijojë. Në gjykimin tim shkrimtari është te teksti. Në përbërjen e letrares kemi tre elementë; autorin, tekstin dhe lexuesin. Midis këtyre elementëve teksti është më i rëndësishmi pasi tenton të jetë dhe i përjetëshmi. Askush nuk e ka njohur Shekspirin si njeri, por nuk besoj të gjendet njeri në glob që të lexojë veprat e Shekspirit dhe të mos mrekullohet.

Megjithatë, jeta e shkrimtarit shfaqet dhe ka lidhje pashmangshmërisht me detajet (dytësore në dukje) por që hasen në vepër... apo nuk na intereson shkakësia në këtë rast?
Në fakt, deri tani në Shqipëri është bërë lexim historik, anti-historik, biografik e anti-biografik, sociologjik, ideologjik dhe gati lihet anash shqyrtimit leximi i tekstit. Kur them që nuk më intereson autori, nuk kam parasysh autorin real si rrëfyes i prozës, si hero lirik i poezisë, por kam parasysh autorin e shkëputur dhe të distancuar nga libri. Është mbase si në rastin e lindjes prindërore; fëmija ka jetën e vet. Lindja është vetëm një çast, jeta e fëmijës, pra, jeta e librit si tekst, nëse ka fuqi letrare, ka shance e gjasa të kapërcejë mote dhe shekuj, pra, në konceptin e lidhjes me autorin apo shkëputjes me autorin, autori është shkasi, letrarja produkti. Për mua ka vlerë parësore dhe thelbësore produkti letrar.

P.sh, le ta themi, çfarë zbulon ndonjë të re studiuesi Behar Gjoka, te libri “Pallati i ëndrrave”?
Deri tani, ky libër është shpjeguar si një tekst që e merr temën nga koha e sundimit osman, pastaj edhe si një tekst alegorik që nëpërmjet një subjekti të së kaluarës kërkon të sulmojë diktaturën dhe sistemin. Në fakt, kjo është pjesa sipërfaqësore e materies së këtij teksti. Për mua, ky tekst përcjell fatin e qenies në marrëdhënie me shtetin në të gjitha kohët, në të gjitha hapësirat, pra, është fund e krye një shenjë universale e betejës dhe mbijetesës së qenies në marrëdhënie me shtetin dhe pushtetin. Po ashtu, karakteri mister dhe enigmatik i fatit të qenies, pra, të personazheve të qarkuar nga kontekstet, nga shteti, i cili të merr peng dhe nga dashuria, dhe nga urrejtja dhe nga padituria siç ndodh sot e gjithë ditën me shqiptarët. “Pallati i ëndrrave” e kapërcen krejt natyrshëm kohën shkrimore të para viteve ’90, e kapërcen gardhin letrar të gjuhës shqipe dhe shkon drejt lumit të vlerave letrare gjithëkohore.

Cila është dukuria më interesante në veprën e Kadaresë, parë me optikën tuaj?
Është dyjimësia letrare që në fakt shënon natyrën komplekse por edhe vlerën e teksteve të autorit. Dyjësia letrare në kuptimin teorik dhe praktik ka të bëjë me aftësinë shkrimore për të sendërtuar veprën letrare edhe në rrethana e kontekste të pamundshme, por njëherit, për të qenë dhe pjesë e konformizmit të konteksteve. Këtu kam parasysh njërin prej teksteve siç shpesh e quajmë kryevepër të Kadaresë, romanin “Kronikë në gur”. Ky libër të mbetet në mendje për formën e shformësuar sepse kemi me dhjetra ndarje e nëndarje, gjithashtu edhe për mesazhin e fshehur, por herë herë dhe të zbukuruar të karakterizimit të luftës së partizanëve dhe të udhëheqësit të tyre si me ngjyra terroriste, ç’ka në fakt është shitur si lojë fëmijnore, dhe nga koha është pranuar me jo pak vështirësi si e tillë. Kjo dyjësi na shfaqet dhe në tekste të tjera si “Prilli i thyer”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Viti i mbrapshtë”, “Kështjella”, “Gjenerali...”, por sipas gjykimit tim, në formë të përfunduar dhe vetëm letrare te “Kronika...”

A nuk ju duket se është zbehur mjaft kjo dyjimësi pas viteve ’90?
Në fakt, me rënien e diktaturës në një farë mënyre ka rënë objekti i frymëzimit por zgjatimet e saj dhe format e çuditshme që merr shteti në Shqipëri dhe kudo, sepse ka momente që realiteti është më surreal se sa letërsia dhe arti, por autori në përgjithësi kohën e kronometron sipas një ligjësie të brendshme. Kurbat e politikës dhe të rrafsheve sociale vërtet ndryshojnë tingëllima mbi letraren, por letrarja as nuk ekziston, as nuk lëviz sipas ligjësive dhe rregullsive të këtyre aspekteve. Letrarja, pra vetëm estetike dhe jo çdo gjë e shkruar, ka të bëjë me situatën e vetëdijes së pavetëdijshme siç e thoshte Bielinski në shek. XIX, kur teksti shpërrthen jashtë autorit dhe që aty është teksti që e tërheq për hunde autorin. Mbase si rregull i pashkruar, letrarja nuk mund të jetë e rrafshtë, pra e lehtë dhe thjeshtësisht e përtypshme, tashmë letrarja si moderne është shndërruar në një rebus universal të ndritshëm.

Është shkrimtari pasqyrë e tekstit apo teksti pasqyrë e shkrimtarit?
Besoj se janë në marrëdhënie përjashtuese, pse them kështu? Sepse në jetën e tij, një shkrimtar mund të jetë një bohem që shumëkujt i pëlqen por dhe shumëkujt nuk i pëlqen, ndërsa teksti i tij mund të jetë mirëfilli i ftohtë, madje që nuk ka të bëjë me situatat jetësore. Në fakt, marrëdhënia e autorit me tekstin është si kufiri ndarës dhe bashkues i horizontit në mes të qiellores dhe tokësores, ku figurativisht, tokësorja është autori dhe teksti, faqja ku shkruhet, është qiellorja. Çdo krahasim midis tyre është gati i pamundshëm, pastaj, autori është i përkohshëm. Kur themi “lexova Naimin”, në fakt kemi lexuar vetëm tekstin e tij.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›