Berisha: Do negocioj për koalicion të gjerë, Vasili: Votat e LSI jo për Edi Ramën, e ndajmë nga PS
ADI SHKEMBI
Ende pa u shpallur rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike nis negociatat me disa prej forcave parlamentare për krijimin e qeverisë së re. Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha dje gjatë një konference për shtyp në selinë blu se do të ulet në tryezën e bisedimeve, duke qenë se nuk mori votat e mjaftueshme për të qeverisur i vetëm. “Natyrisht nuk kam fituar aq sa do të doja dhe kam ndërmend të eci drejt koalicioneve. Pohova se do të zgjeroj koalicionin sepse këto janë rregullat. Ky është rregulli i demokracisë, ne jemi një vend demokratik, do të negociojmë koalicionin. Ka vullnet pozitiv për koalicionin dhe ne jemi në frymën e kompromisit që kjo kërkon. Sovrani votoi, sovrani diktoi koalicion! Çfarë do të bëjmë ne? Do të themi se për inat të sovranit do të shkojmë në zgjedhje? Jo absolutisht, do të respektojmë këtë që na dha, dhe t’i themi faleminderit shumë dhe të vazhdojmë më tutje”, u shpreh Berisha. I pyetur se cilat forca politike apo individë do të bëjë koalicion PD, kreu i demokratëve theksoi se bisedimet do të bëhen vetëm me parti parlamentare që kanë fituar mandate deputetësh, por shtoi se edhe individë të veçantë janë të pranuar në radhët e partisë më të madhe të koalicionit të djathtë. “Partia Demokratike synon dhe kërkon koalicion me forca politike. PD u përmbahet rregullave. Natyrisht mirëpret kontributet, por kur flas për koalicion, flas për koalicion me forca politike, natyrisht unë nuk jam për një koalicion të gjerë. Koalicionet e gjëra kërkohen kur nuk ka mundësi për koalicione të tjera. Ky është rregulli i demokracisë!”, u shpreh Berisha. Por burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për gazetën se Kryeministri Berisha ka nisur tashmë negociatat me dy forca politike, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që ka vetëm një mandat parlamentar, dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim që ka fituar katër mandate në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha dje gjatë një konference për shtyp se kjo forcë do të vazhdojë të mbetet në koalicionin e majtë, PD-ja është duke tentuar ta bindë atë për t’iu bashkuar shumicës. Ky qëndrim i demokratëve vjen edhe pas qëndrimit publik të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, e cila është shprehur se nuk e shqetëson prania e PBDNJ-së në koalicion. Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj incidenteve të një dite më parë në KZAZ-në 20 në qarkun e Fierit, ku dhjetëra përkrahës të PS-së, penguan komisionerët të sillnin në Tiranë për të numëruar kutitë e votimit. Ai akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama për nxitjen e këtyre protestave. “Dje gjatë ditës Edi Rama përmes emisarëve të tij më komunikoi se ai kishte vendosur të mos njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe se kishte vendosur të nxirrte popullin në protesta. Përgjigjja ime ishte se ky është një vend i lirë dhe se qytetarët munden lirisht të protestojnë. Eshtë një standard i demokracisë shqiptare, i konsoliduar, por natyrisht rezultat zgjedhjesh me protesta nuk mund të ndryshojë. Me protesta do të mund të zhurmosh apo të mbrohesh nga humbja, apo nga rezultati i këtyre zgjedhjeve, por nuk mund ta ndryshosh”, u shpreh kreu i qeverisë. Gjatë daljes së djeshme para mediave, Berisha akuzoi edhe kandidatin e PS-së për deputet, Andis Harasani, i cili u filmua nga kamerat e KZAZ-së në Rrogozhinë gjatë një përplasje mes komisionerëve. “Dje në orët e para të mëngjesit pas mesnate Andis Harasani, deputeti i PS-së, me sjelljen e një banditi ordiner sulmoi me karrige njeriun e ligjit, komisionerin e PD-së në Rrogozhinë, para kamerave të lokalit, ku numëroheshin votat për fajin e vetëm se ky komisioner po zbatonte ligjin”, përfundoi Berisha.
70 mandatet e PD
Qarku Berat
Genc Pollo
Mehmet Xheka
Lefter Maliqi
Qarku Dibër
Jemin Gjana
Sherefedin Shehu
Bedri Hoxha
Selami Xhepa
Qarku Durrës
Ferdinand Xhaferri
Albana Vokshi
Gazmend Oketa
Ylli Lama
Osman Metalla
Eduart Halimi
Igli Cara
Qarku Elbasan
Lulzim Basha
Ardian Turku
Adriana Gjoni
Rrahim Çota
Dashnor Sula
Luçiano Boçi
Sybi Hida
Qarku Fier
Sokol Olldashi
Ilir Bano
Mesila Doda
Enkelejd Alibeaj
Vasillaq Ngresi
Fatos Beja
Qarku Gjirokastër
Genc Ruli
Spiro Ksera
Qarku Korçë
Ridvan Bode
Gjergji Papa
Ledina Aliolli
Edmond Spaho
Fatbardh Kadilli
Ismail Hoxha
Qarku Kukës
Flamur Noka
Besnik Dushaj
Fatos Hoxha
Qarku Lezhë
Edi Paloka
Mark Marku
Pavlina Hoti
Rrajmond Hoxha
Qarku Shkodër
Jozefina Topalli
Astrit Bushati
Arenca Trashani
Gëzim Dibra
Gjok Uldedaj
Paulin Sterkaj
Ndue Paluca
Qarku Tiranë
15 deputetë
Sali Berisha
Aldo Bumçi
Rajmonda Bulku
Bujar Nishani
Majlinda Bregu
Gerti Bogdani
Gent Strazimiri
Florian Mima
Ilir Rusmali
Myqerem Tafaj
Luan Skuqi
Tritan Shehu
Viktor Gumi
Arben Imami
Lajla Pernaska
PR 1 deputet
Fatmir Mediu
Qarku Vlorë
Astrit Patozi
Ardian Kollozi
Leonard Demi
Kreshnik Çipi
PDI 1 deputet
Dashamir Tahiri
Berisha flet për Reuters
“Fitore jo e gjerë, por mbetet fitore”
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit për agjencinë prestigjioze të lajmeve “Reuters”. I pyetur gjatë konferencës së djeshme nga kjo agjenci, Kryetari i Partisë Demokratike tha se është gati të formojë maxhorancën e re për katër vitet e ardhshme, teksa shtoi se pavarësisht faktit se sa e madhe është një fitore në zgjedhje, ajo mbetet e shndritshme. “Unë kam gjithçka gati për të formuar një maxhorancë të re. Por po pres me durim rezultatin përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk ishte një fitore e gjerë, por është një fitore. Sido që të jetë e madhe apo e vogël, fitorja është e shndritshme!”, u shpreh Kryeministri Berisha. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, Kryetari i Partisë Demokratike për herë të parë, ende nuk ka nxjerrë një rezultat për zgjedhjet e zhvilluara, duke u shprehur publikisht se do të presë rezultatin e shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të folur. E vetmja deklaratë nga selia blu, është ajo e zëdhënëses së fushatës, Majlinda Bregu, sipas së cilës koalicioni i djathtë ka 71 deputetë.
Vasili: Votat tona jo për Edi Ramën
Aristir Lumezi
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje kryesinë e saj për të bërë një analizë të detajuar të procesit zgjedhor. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë, sqaroi dhe pozicionin e LSI-së në lidhje me mandatet e saj. Vasili qartësoi qëndrimin e LSI-së se, “votat tona nuk janë për Edi Ramën. LSI ndan Edi Ramën nga Partia Socialiste”. “Rama s’ka asnjë të drejtë as politike, as publike, as morale që të flasë në emër të mandateve të LSI-së. Përkundrejt apeleve të shumta për bashkëpunim dhe për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, Rama ka konsumuar veprën e dirigjimit të një informacioni me elementë policorë dhe financiarë, me qëllim asgjësimin e LSI-së, duke përdorur jo vetëm elementë të shkeljes së ligjit, por dhe aktivizimin e instrumenteve të tilla thellësisht të patolerueshme, siç janë aktivizimi i parave për korruptimin në themel të procesit. Ne kemi qenë koherent në raportin me të majtën, por hartuesit e Kodit Zgjedhor shkaktuan humbjen e së paku 12 mandateve të së majtës dhe në veçanti të LSI-së, por kjo përgjegjësi dhe reflektim që duhet të ndodhin në PS janë një çështje e tyre e brendshme, ndërsa ne do ta evidentojmë këtë krim dhe të mos lejojmë që të shprehet në emër të sakrificës të njerëzve të LSI-së, që kanë siguruar 4 mandate dhe që janë përfaqësimi i ndershmërisë së këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së sqaroi se në mbledhjen e djeshme të kryesisë nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me qëndrimin që kjo parti do të mbajë në qeverisjen e re. “LSI nuk ka asnjë vendim politik lidhur me çështjen e ndërtimit të koalicioneve që kanë të bëjnë me qeverisjen e re, ajo ka ngarkuar të gjithë grupin e ekspertëve dhe personave të ndjekin këtë proces dhe po pret me qetësi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, dhe mbas marrjes së rezultatit të analizës së kontekstit politik, shoqëror dhe elektoral do të mbledhë forumet e saj dhe do t’ju njohë me këto vendime në kohën dhe momentin e duhur”, u shpreh Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i pyetur nga gazetarët komentoi dhe deklaratën e Dritan Priftit për bashkim të votës së tij me qeverinë Berisha. “Ka qenë një opinion personal i z. Prifti edhe nën peshën e një trysnie, antiligjore kriminale që janë konsumuar në rrethin e Fierit, që shpjegojnë edhe karakterin e fortë emocional që kanë pasur deklaratat e djeshme të z. Prifti, por që s’ka të bëjë fare me qëndrimet e kryesisë e të forumeve të LSI-së”, tha Vasili. Duke deklaruar vendimin e kryesisë së LSI-së, Vasili tha se në qendër të punës së saj ishte analiza e procesit zgjedhor dhe mbledhja e sa më shumë fakteve për shkeljet dhe deformimet e ligjit që i janë bërë këtij procesi. “Kryesia e LSI-së, fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit konstatoi me keqardhje dhe me shqetësim të thellë se gjithçka që ne parashikuam do të ndodhte me miratimin e Kodit Zgjedhor dhe do të paraprinte nga dyshimet kushtetuese dhe thellësisht të dëmshme dhe që prishin themelin e shtetit kushtetues në Shqipëri u verifikuan në praktikë me cenimin e thellë të standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithashtu kryesia e LSI-së konstatoi edhe prishjen në vazhdimësi të standardeve në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo më e theksuar në procesin delikat të numërimit të votave”, tha Vasili.