Raporti i “Amnesty International”: Izraeli, krime lufte në Gaza
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International” në një raport të sajin ka konstatuar se Izraeli ka kryer krime lufte gjatë operacioneve ushtarake në Gazë gjatë këtij viti. Në këtë raport thuhet gjithashtu se Hamasi dhe militantë të tjerë palestinezë janë fajtorë për krime lufte duke hedhur raketa mbi Izraelin jugor. “Amnesty” thotë se shkalla dhe intensiteti i sulmeve izraelite mbi Gazën kanë qenë të paprecedendta. 1400 paletsinezë janë vrarë gjatë sulmeve, disa prej tyre me armë joprecize përfshirë predha artilerie me të fosforit të bardhë, armë këto që “Amnesty” thotë se nuk guxojnë të përdoren në rajone të banuara me civilë. Raporti përshkruan një pjesë të madhe të shkatërrimit gjatë konfliktit si të pamëshirshëm. Organizata rekomandon që për momentin të ndërpriten të gjitha ndihmat ushtarake të huaja për Izraelin dhe grupet e armatosura palestineze. Ndërkohë Izraeli ka këmbëngulur se ka patur në shënjestër vetëm militantët palestinezë.
Beogradi: “Kthimi i policëve sipas planit 6 pikësh”
Qeveria e Serbisë thotë se kthimi i policëve serbë në policinë e Kosovës është në pajtueshmëri me planin gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i cili është në harmoni me Rezolutën 1244 dhe me politikën e statusit neutral të faktorëve ndërkombëtarë. Ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në qeverinë e Serbisë, Svetozar Çipliç tha se “kthimi i serbëve në policinë e Kosovës paraqet kthim në gjendjen para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”. Më tutje, Çipliç tha për gazetarët në Beograd, se Qeveria e Serbisë konsideron se nuk ka kushte, që serbët në Kosovë, të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Para dy ditësh pjesa më e madhe e policëve serbë u kthyen në vendet e tyre të punës dhe ky veprim u kritikua nga autoritetet serbë. Ndërkohë qeveria kosovare i përshëndeti policët dhe premtoi se do të bëhej më shumë në të ardhmen për kushtet e punës.
3 Korrik 2009