Harasani: Berisha t’i drejtohet gjykatës
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Andis Harasani ka reaguar dje menjëherë pas akuzave të Kryeministrit Berisha, lidhur me incidentin e dy ditëve më parë në KZAZ-në e Rrogozhinës. Në një prononcim për mediat, kandidati socialist i kërkoi kreut të Partisë Demokratike që t’i drejtohet gjykatës. “Berisha le të ankimojë në gjykatë. E gjithë Shqipëria e di se kush është banditi” - tha Harasani gjatë prononcimit për mediat. Deputeti i PS-së u përfshi në një përleshje në KZAZ-në e Rrogozhinës një natë më parë, kur komisionerët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste po debatonin lidhur me fatin e gjashtë kutive të kësaj zone. Dy forcat politike akuzojnë njëra tjetrën për manipulime në këto kuti, ndërkohë që pavarësisht rezultatit të tyre, në qarkun e Tiranës nuk mund të ketë më ndryshim të rezultatit. Pas numërimit të më shumë se 98% të kutive, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë nga 15 mandate, Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nga një mandat.