Misioni i BE-së nuk lë jashtë Mitrovicën
• Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili do të drejtojë misionin EULEX, Piter Feith, theksoi dje se me gjitha protestat e serbëve në këtë zonë, BE-ja nuk do të heqë dorë nga kontrolli mbi Mitrovicën.“Misioni i BE-së do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, duke inkurajuar institucionet vendore për bashkëpunim. Unë jam inkurajuar për bashkëpunim dhe ne jemi të përgatitur që të vazhdojmë për legjislacionin dhe kushtetutën dhe jemi inkurajuar nga puna që është bërë dhe asistenca që ne mund të japim. Kjo do të vendoset shumë shpejt dhe do të jetë themeli i fortë për implementimin gjithëpërfshirës”, tha Feith, pas takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi. Feith qartësoi pozicionin e këtij misioni në Kosovë, duke thënë se BE nuk po vazhdon administrimin e Kosovës. “Këtë detyrë do ta ketë qeveria, kurse ne këtu jemi si këshilltarë të ngushtë të saj me përgjegjësi të veçanta në periudhën e propozimit gjithëpërfshirës”, tha Feith. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi tha se misioni i BE-së në Kosovë vjen me ftesë të institucioneve të pavarura të Kosovës për bashkëpunim në të mirë për interesa të vendit dhe qytetarëve të Kosovës.