Vijnë të rinjtë
Betimi i Qeverisë “Thaçi” të martën në Parlamentin e Kosovës e ka lënën legjislativin kosovar katërmbëdhjetë deputetë më pak.
Kjo për faktin se sipas Kushtetutës së Kosovës, nga ky mandat, deputeti nuk mund të marrë edhe post në Qeveri, siç ka ndodhur në mandatin e kaluar.
Aktualisht Kuvendi ka mbetur me vetëm 106 deputetë, por meqenëse mungesa e 14 deputetëve është nga koalicioni qeverisës, atëherë Kuvendi nuk mund të mbajë ndonjë seancë plenare për të kaluar ndonjë vendim të Qeverisë, sepse aktualisht shumicën në Kuvend e përbënë opozita.
Të mërkurën në mëngjes, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi është kujdesur menjëherë që ta plotësojë numrin e ulëseve të mbetura pa deputetë.
Krasniqi, sipas procedurës, i ka drejtuar një letër me shkrim Presidentit Behgjet Pacolli, të cilin e ka njoftuar për nevojën e plotësimit të katërmbëdhjetë mandateve.
“Ne si Kuvend kemi proceduar me kërkesë te Presidenti për zëvendësimin e deputetëve që janë emëruar si ministra. Sipas Kushtetutës, një ministër nuk mund të jetë më edhe deputet”, ka konfirmuar të mërkurën për Express, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Letra e Kuvendit, tashmë ndodhet në kabinetin e Presidentit Pacolli.
Por Presidenti i ri nuk ka mundur që ditën e parë të punës të merret me këtë çështje, për shkak angazhimit të tij për të vizituar komplekset memoriale të dëshmorëve dhe disa familjeve në vend.
Sipas procedurave, brenda pesë ditëve, Presidenti duhet që t’i kërkojë Komisionit Qendror Zgjedhor që t’ia dorëzojë emrat e kandidatëve për deputetë që janë në radhë me vota, në listat partiake të koalicionit.
KQZ’ja është e gatshme ta bëjë plotësimin e numrit të deputetëve, por ende nuk i ka mbërritur kërkesa nga Presidenti.
Kryeshefi Ekzekutiv i KQZ’së, Xhemajl Peqani, ka deklaruar për Express se deri tani e vetmja kërkesë ka qenë ajo e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i deputetit, i cili është zëvendësuar nga deputeti Bali Muharremi.
“Ne si KQZ, prej momentit që e marrim kërkesën nga Presidenti, duhet që brenda pesë ditëve të punës t’ia kthejmë përgjigjen Presidentit me emrat për deputetë të rinj. Po ashtu, pasi t’ia kthejmë ne, Presidenti i ka në dispozicion deri në pesë ditë pune për t’ia kthyer Kryetarit të Kuvendit emrat e deputetëve të rinj. Deri sot pasdite ne nuk kemi marrë ndonjë kërkesë, por jemi gati ta kryejmë punën tonë”, ka thënë Peqani.
Me zëvendësimin e deputetëve, grupet parlamentare do të pësojnë ndryshime të mëdha.
Grupit parlamentar të PDK’së do t’i bashkohen shtatë deputetë të rinj.
Ndërsa Aleancës Kosova e Re me këtë zëvendësim do t’i ndryshohet edhe përbërja partiake brenda Grupit Parlamentar, pasi që tre nga katër deputetët e rinj vijnë nga Partia e Drejtësisë.
Emrat që tashmë dihen se do të bëhen deputetë të rinj, sërish nuk mund të cilësohen finalë, për faktin se procesi i konsolidimit të Qeverisë ende nuk ka përfunduar në tërësi.
Meqenëse partnerët e koalicionit ende nuk i kanë zgjedhur zëvendësministrat, ndryshime mund të ketë sërish.
Nëse ndonjëri nga deputetët në pritje emërohet si zëvendësministër, atëherë sërish duhet rifreskuar lista e deputetëve.
Zëvendësimet
Deputetët e PDK’së që kanë hequr dorë nga mandati janë: Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Bajram Rexhepi, Bedri Hamza, Vlora Çitaku dhe Memli Krasniqi. Këta do të zëvendësohen nga Hydajet Hyseni, Nijazi Idrizi, Nait Hasani, Arsim Bajrami, Berat Buzhala, Kurtan Kajtazi dhe Valbona Dibra.
Deputetët e Koalicionit të AKR’së që kanë hequr dorë nga mandati i deputetit janë:
Behgjet Pacolli, Ferid Agani, Agim Çeku e Mimoza Kusari-Lila. Në vend të tyre tani do të jenë në Kuvend Amir Ahmeti, Jeton Zvirca e Gëzim Kelmendi të Partisë së Drejtësisë dhe Suzan Novobërdaliu e AKR’së.
Deputetët e SLS’së që kanë hequr dorë nga posti i deputetit janë Slobodan Petroviv dhe Nenad Rasic, ndërsa do të zëvendësohen nga Boban Todorevic dhe Sasha Milosavljevic.
Ndërsa nga KDTP’ja në vend të Mahir Yagcilarit do të futet Fikrim Damka.