E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i PE-se eurodeputetet me 7 Maj ne Tirane

Delegacioni i Parlamentit Evropian, i kryesuar nga Eduard Kukan, do të mbërrijë në Shqiperi në datën 7 maj për një vizitë 3 ditore. Por ndryshe nga ç'pritej, ky delegacion nuk do të vëzhgojë zgjedhjet, por do të vizitojë Shqipërinë pas kërkesës së qeverisë dhe disa prej subjekteve politike vendase. 

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Screen, zyra e shtypit e komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, në Bruksel, e cila thotë se “delegacioni do të ketë një mision më të rëndësishëm, do të jetë i pranishëm për të mbledhur informacion mbi gjithçka që ndodh këto ditë në vend”.

Në përbërjen e tij do të jenë eurodeputetët Georgios Koumoutsakos i grupit të Partive Popullore Evropiane, Jutta Steinruck e Aleancës Progresiste të Socialistëve si dhe Michail Tremopoulos i të Gjelbërve Evropianë.

Eurodeputetët do të kontaktojnë krerët e partive politike, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe vëzhguesit e huaj e vendas të zgjedhjeve lokale.

Ata do të përgatisin me këtë rast një raport mbi konkluzionet për 8 majin. Raporti do t’i paraqitet komisionit të Jashtëm, e më pas, Parlamentit Evropian. Gjatë qëndrimit të tij, delegacioni do të vizitojë disa qendra votimi në Tiranë dhe në zonat ku do të lëvizë. Ai do do të largohet një ditë pas zgjedhjeve.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›