E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia nga prilli me raketa Patriot

Raketat kundër-ajrore amerikane së shpejti do të stacionohen në afërsi të Rusisë: në prill, SHBA-ja do të stacionojë raketat e para Patriot në territorin e Polonisë.

Këtë lajm e kumtoi një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Polonisë. Me stacionimin e raketave, në territorin e Polonisë do të zbarkojnë edhe ushtarët e parë amerikanë.

Raketat Patriot do të vendosen në veri të Polonisë, njoftoi agjencia polake e lajmeve, PAP. Raketat do të stacionohen vetëm 60 km larg enklavës ruse të Kaliningradit.

Edhe përkundër faktit se raketat amerikane do të stacionohen aq afër territorit të vet, Rusia deklaroi javën e kaluar se nuk e ka ndërmend që të reagojë me aksion të ngjashëm.
Polonia dhe SHBA-ja kanë nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar marrëveshjen për stacionimin e raketave Patriot në territorin e Polonisë.

Paraprakisht, administrata e Barack Obamës kishte hequr dorë nga plani i administratës së George Bushit, për të stacionuar elemente të mburojës së vet anti-raketore në Poloni dhe Çeki.

Rusia këtë plan e kishte cilësuar si kërcënim ndaj sigurisë së vet kombëtare dhe ishte kërcënuar me stacionimin e raketave Iskander në Kaliningrad.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›