E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Miss Julie" shfaqet natën e dytë të edicionit të 11-të

U ka takuar artistëve maqedonas të Bitolës, nata e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan. Me pjesën Miss Julie", trupa modeste, sido që me katër aktorë ka thithur jo pak shikues. Një pjesë teatrale natyraliste nga August Strindberg në përballje me shtresat klasore, dashurinë, luftën ndërmjet sekseve dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, e vendosur në verën e vitit 1874 në shtresën e fisnikëve të Suedisë. Zonjusha Xhuli, shumë e vendosur të bëjë atë që do pavarësisht se ka kundërshtarë, e edukuar nga nëna e saj, por e ndarë nga jeta me frymën "mendo dhe vepro si një burrë", mbetet një njeri konfuz. Ndërsa personazhi i radhës, Jean, kryeshërbëtor i babait të saj që dashuron të bijën e fisnikut, Xhulian, dhe Kristi, kuzhinierja e kësaj shtëpie përfaqëson shtresën e njerëzve pa kulturë dhe e kënaqur me atë çfarë ka arritur. Ndërsa personazhi i kontit, asnjëherë i shfaqur në skenë, ndonëse dorezat dhe çizmet e tij mbeten gjithmonë aty si shprehje e ekzistencës për të mirë e për të keq në jetën e ndërthurur mes shtresash të ndryshme përfaqësuese. Pak a shumë kjo mbetet fabula e pjesës, që në mungesë të gjuhës, shikuesi ka përfituar nga fletëpalosjet e përkthyera, si dhe nga gjestet aktoreske në skenë. Ndërsa regjisori artistik, Adonis Filipi, tha se festivali përfshin në vetvete forma të ndryshme eksperimentale të interpretimit, që tashmë jo vetëm janë bërë traditë, por dhe janë kthyer në kulturë perceptuese për masën më të madhe të shikuesve. Sonte pritet të ngjitet trupa polake, për të cilën thuhet se do të jetë ndër shfaqjet më të arrira në këtë edicion. B. Dybeli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›