Një ekspozitë fotografike nxit projekte të ardhshme
"Perënditë nuk e bënë njeriun të pavdekshëm, por i dhanë kohën". Kjo shprehje e Platonit, cituar poshtë një posteri ekspozite fotografike me studentët e Arkitekturës së Tiranës, është një nxitje për të nisur një diskutim. Në katin e katërt të këtij fakulteti, në hollin ku gjen studentë që flasin, që rendin nga një anë në tjetrën apo të tjerë që vrasin kohën, qëndrojnë një sërë fotografish. Janë shkrepje artistike mbi Tiranë apo detaje të qëmtuara nga studentët, pas të cilave apo përmes të cilave përcillet një ide. "Të shohësh dhe të perceptosh", titullohet kjo ndërmarrje e realizuar me studentët, nën kujdesin e pedagogut të tyre, Petri Ilo. Në fakt, është menduar si një ftesë për diskutim, për debat. Një debat për arkitekturën, për të shkuarën, për trashëgiminë, për zhvillimin...I tillë është konceptuar edhe posteri. Dy sy të mëdhenj që shohin siluetat e minares së xhamisë së Et‘hem Beut dhe Sahatit, si shenjat e para të qytetërimit të Tiranës, siluetën e Bibliotekës Kombëtare që të sjell më vonë në kohë, në vitet e regjimit, godinën e Bashkisë si simbol i drejtimit të një qyteti e më tej hijen e një objekti të madh në ndërtim, që parë në syrin pozitiv do të nënkuptonte zhvillim. Me tej, shpjegimi nga një foto te tjetra ka në thelb arkitekturën, hapësirën dhe formën si ligjësi të saj. E hapur në rastin e vitit të ri shkollor, me një synim po të ri. "Është vetëm një parahyrje e temave që ne mendojmë të parashtrojmë në ekspozita të tjera që duam të organizojmë në vazhdim të vitit shkollor. Ekspozita që më së shumti do të kenë tema më të përcaktuara e që synojnë t‘i bëjnë studentët më gjithëpërfshirës, t‘i bëjnë pjesë e diskutimeve", shprehet Ilo. Nuk janë veç shkrepje të thjeshta, por edhe kompozime artistike. Pedagogu pranon që do të përpiqen të shkrijnë sadopak indiferentizmin e studentëve. Në fakt, sipas tij kjo mungesë reagimi i karakterizon edhe kur bëhet fjala për kushte sadopak normale për punën e tyre, në kushte kur u mungon edhe një studio modelimi. Çdo vizitor, në këtë rast studentët, mund t‘i lexojnë këto foto në mënyrën e tyre, gjithsesi një tekst që do të shoqërojë secilën prej tyre do të jetë një nxitje për të diskutuar. Tema për të ardhmen ka shumë. Sidomos në kryeqytetin tonë, ku arkitektë nga vende të ndryshme e kanë bërë pjesë të studimeve apo projekteve artistike. Kontrasti urban në Tiranë, strukturat e reja, ato tradicionale e raportet mes tyre janë veç disa syresh që mund të pasohen nga shumë të tjera. Mbetet vetëm angazhimi i studentëve që brenda mureve të këtij fakulteti të mos flitet veçse teorikisht.