E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pakënaqurit nga Rama, në mbështetje të Ilir Zelës

Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela

Dy ditë para votimit, vazhdon gara për kreun e PS-së së Tiranës.

Dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës vazhdojnë kontaktet e tyre me anëtarë të Asamblesë së zgjeruar të kryeqytetit. Edhe pse prezantimi i platformave të tyre konkurruese u mbyll të mërkurën në darkë, pas takimit me anëtarë të asambleve socialiste të njësive 5, 6 dhe 7, dje dhe sot vazhdojnë kontaktet e tyre me strukturat e Tiranës. Çdo njësi bashkiake ka në përbërje të saj anëtarë të Asamblesë së zgjeruar të Tiranës, duke filluar nga delegatët e Kongresit, deputetë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare, kryetarë të njësive vendore dhe kryetarë të PS në këto njësi. Të dy kandidatët në takimet e tyre po mundohen të sigurojnë shumicën e votave që u duhen për të marrë postin e kreut të PS-së së Tiranës. Në radhët e socialistëve të Tiranës duket se ka një ndarje që lidhet jo vetëm me kandidatin Tahiri, por kryesisht me kreun e PS-së, Edi Rama. Deputeti Andis Harasani është shprehur në media se do të votojë për Ilir Zelën, ndërsa sipas Rajmonda Stefës, fushatën e Zelës po e mbështet edhe anëtari i kryesisë Namik Dokle por dhe anëtarë të tjerë të asamblesë kombëtare socialiste. Të pakënaqurit nga Edi Rama, një pjesë e të cilëve kanë mbetur jashtë forumeve dhe të papërfaqësuar, mbështesin Ilir Zelën, si kolegun e tyre të njohur prej vitesh me të cilin kanë ndarë ngjarje dhe episode politike, në opozitën e parë, 1992-1997, por dhe në pushtet gjatë viteve 1997-2005. Rajmonda Stefa, Eva Allushi, Edlira Haxhiymeri, Saemira Pino, Musa Ulqini, Majlinda Keta etj. Mësohet se në favor të kandidatit Zela janë duke punuar dhe disa ish-drejtues të FRESSH-it apo të Forumit të Gruas në të gjitha njësitë vendore të kryeqytetit, me të cilët kandidati për kreun e PS-së Tiranë ka punuar gjatë kohës që ka qenë në opozitë, por dhe sekretar në selinë e PS. Edhe pse delegatët e Kongresit, anëtarët e Asamblesë Kombëtare socialiste që janë pjesë e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës, njihen kryesisht si mbështetës të kryetarit socialiste, Edi Rama, pasi lista e propozuar për ta ka marrë bekimin e kryetarit, mbështetësit e Zelës po punojnë për të bërë për vete disa nga votat e tyre përmes strukturave të bazës socialiste.
Platformat
Për tri ditë rresht, dy kandidatët për kreun socialist të kryeqytetit përballën platformat e tyre përpara anëtarëve të asambleve të çdo minibashkie, duke dhënë vizionin e tyre se si duhet ringritur kjo degë. Ilir Zela e ka bazuar platformën e tij në harmonizimin e të gjitha kontributeve ndër vite dhe bashkimin e tyre. “Përtëritja dhe fuqizimi i shpirtit opozitar në Shqipëri kërkon të bashkohen në mënyrë organike vlerat me të mira të së majtës, sakrificat dhe përvoja e opozitës së parë socialiste të 1992-1997 me kontributet më të mira të opozitës së dytë, të mirëpërdoret përvoja qeverisëse e 1997-2005. Do të propozoj krijimin e regjistrit të kontributeve për pranimet, ku anëtarët të partisë të shënohen në bazë të prurjeve dhe nxitjeve për pranime”, u shpreh Zela. Ndërsa kandidati tjetër për kreun e PS-së së Tiranës premtoi një organizim të ri të kësaj dege, i cili do ta bëjë fituese në zgjedhjet e ardhshme. “Unë besoj se PS-në e Tiranës mund ta kthejmë në një makineri elektorale, moderne dhe perfekte, në gjendje të organizojë një fushatë totale dhe, mbi të gjitha, fituese. Për këtë arsye, veç sekretarit Organizativ dhe komisionit për çështjet elektorale, do të ketë një sekretariat të veçantë për patronazhin. Ne duhet të ngremë një sistem efikas patronazhi, të njohim çdo votë, derë më derë, dorë më dorë, fytyrë për fytyrë”, u shpreh Tahiri. Gjatë takimeve anëtarët e asambleve të minibashkive, pjesëmarrës në këtë takim u kanë bërë pyetje dy kandidatëve, për të kuptuar më mirë filozofinë e tyre se si do të ngrihet dhe dalë fituese dega më e madhe e socialistëve, siç është Tirana.

Votimi
Ditën e shtunë, më 3 mars, rreth 600 socialistë, anëtarë të Asamblesë së zgjeruar të Tiranës, do të votojnë për kryetarin e ri të kësaj dege. Në fillim do të jetë një fjalë e Edi Ramës që do të vlerësojë garën e zhvilluar nga të dy kandidatët, por dhe situatën politike në të cilën zhvillohen këto zgjedhje. Më pas të dy kandidatët do të prezantojnë edhe njëherë para votimit platformat e tyre për të bindur në minutën e fundit ndonjë të pavendosur për votën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›