E Shtunë, 31 Tetor 2026

Predha i lë sakatë

Dy peshkatarë mbetën dje të plagosur, teksa hapnin me gur fresibël një predhë të vjetër artilerie

VLORË - Po çmontonin një predhë luftarake, me qëllim marrjen e lëndës plasëse që do të përdorej për peshkim, por fatkeqësisht ajo u plasi në dorë. Kështu u ndodhi dje dy peshkatarëve nga Vlora, të cilët mbetën të plagosur, madje njëri prej tyre humbi fatkeqësisht një gjymtyrë të sipërme, si edhe një këmbë. Sipas policisë, shpërthimi u shënua rreth orës 13:45 në banesën e Pëllumb Kekës, në një shtëpi private në lagjen “Pavarësia” të qytetit. Dy peshkatarët, Koço Paço, 60 vjeç dhe Pëllumb Keka, 45 vjeç, po çmontonin një predhë të vjetër artilerie, të cilën e kishin gjetur diku në bregdet, pasi në fakt nuk është çudi të hasësh municione të përmasave të ndryshme edhe buzë detit. Synimi i peshkatarëve ishte marrja e tritolit dhe përdorimi i tij për peshkim në mënyrë të paligjshme në det, sikurse ndodh rëndom në Porta Novë, Triport e në zonën e Karaburunit. Mësohet se në momentin e hapjes së predhës me një gur fresibël, mungesa e kujdesit dhe padija e peshkatarëve në procesin e çmontimit shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, që u ndie tek të gjithë fqinjët e 45-vjeçarit Keka. E gjithë lënda plasëse shpërtheu në duart e peshkatarëve, duke u shkaktuar dëmtime serioze. Banorët përreth ndihmuan në nxjerrjen nga banesa të dy peshkatarëve, ku njëri prej tyre, pikërisht Keka, kishte humbur njërën dorë dhe një këmbë. Ndërsa mësohet se Paço mori dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Policia mbërriti në vendngjarje, menjëherë pas njoftimit të qytetarëve, që u tmerruan nga eksplozioni, dhe transportoi të plagosurit në spital. Sipas bluzave të bardha, të dy të plagosurit iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa banesa e Kekës po inspektohet nga ekspertë të krimit. Sipas policisë, dy peshkatarët do të ndiqen penalisht. Banorët e zonës përreth u tmerruan nga shpërthimi i predhës, si pasojë e të cilit u tronditën dyer e dritare. Fqinjët menduan se Gërdeci u erdhi në derë, pasi copat e predhës u shpërndarë në ambientet përreth. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale gurin fresibël dhe pjesët e mbetura të predhës. Ky nuk është rasti i parë që peshkatarët amatorë të Vlorës, të cilët gjuajnë me dinamit, kanë pasur një fat të tillë gjatë pakujdesisë së çmontimit të predhës. Pak vite më parë, dy vëllezër që tentuan të hapnin një predhë me gur fresibël humbën jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›