Mister rrëzimi i helikopterit
Sinjali SOS u kap nga radarët në orët e para të mëngjesit. Ndërpriten kërkimet nga ajri, vazhdojnë kërkimet në tokë
Pas tri orë kërkimesh nga ajri dhe toka, policia e Shkodrës, e kontaktuar nga posta kufitare, ushtria dhe banorët përreth Jezercës, nuk janë hasur shenja të ndonjë mjeti fluturues të humbur. Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka konfirmuar lajmin se një mjet fluturues ka humbur këtë mëngjes nga radarët në Alpet e Shqipërisë dhe se në kërkimin të tij janë vënë Policia Kufitare e Shkodrës dhe Kukësit. Nuk dihet ende lloji i mjetit fluturues dhe se sa persona udhëtojnë në të. Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një avion të vogël, ose helikopter. Ndërkohë po vazhdojnë intensivisht kërkimet në Majën e Cukalit dhe Qafën e Agrit, që ndodhen në malet e Shkodrës. Grupi i gatshëm po vazhdon kërkimet, por vështirësitë janë të mëdha, pasi zona malore është shumë e thyer. Dyshohet se mjeti fluturues mund të këtë rënë në Alpet e Shqipërisë.
Ngrihet grup kërkimi
Lajmi se një mjet fluturues ka humbur nga radarët ka vënë në lëvizje Policinë shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Drejtoria e Policisë në Tiranë ka ngritur një grup pune për gjetjen e mjetit fluturues. Përveç Majës se Cukalit dhe Qafës se Agrit po kërkohet intensivisht dhe në Malësinë e Dukagjinit dhe malin e Shkëlzenit. Alarmi për humbjen e mjetit fluturues është dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka ofruar gjithashtu gatishmërinë e saj për gjetjen e mjetit fluturues, që nuk është përcaktuar ende se çfarë lloji është. Lajmi se një mjet fluturues ka humbur në hapësirën veriore të Shqipërisë është konfirmuar dhe nga Emergjencat Civile në vendin tonë. Kreu i këtij sektori, Olli, bëri të ditur se alarmi për humbjen është dhënë në orën 04:25 të mëngjesit dhe se ka mbërritur nga Italia. Olli shprehet se për këtë ngjarje janë vënë në dijeni të gjitha vendet e Ballkanit. Dyshimi i parë ishte se mjeti fluturues mund të ishte i NATO-s. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se kërkimet për mjetin e humbur janë zgjeruar deri në Kosovë. Sipas burimeve jozyrtare mësohet se mjeti fluturues mund t’i përkasë trupave të NATO-s. Dyshohet se mjeti mund të ishte një helikopter patrullues i NATO-s dhe të ketë humbur në malet e Tropojës. Një banor nga komuna Rragan u shpreh se banorët e fshatit të tij kanë parë avionin të binte pranë malit të Jezercës dhe se kanë dëgjuar zhurmën e rrëzimit. Dyshohet se mjeti fluturues mund të ketë rënë në Lekbibaj të Tropojës, ndërkohë që u fol se ngjarja mund të ketë ndodhur në zonën e Thethit.
Lokalizimi i vendit
Rreth orës 11:35 policia konfirmon se mjeti fluturues është helikopter. Dyshohet se është rrezuar në malin e Jezercës, në fshatin Valbonë. Mendohej se kishte dhe të mbijetuar dhe ndihma e shpejtë nga Tropoja është nisur drejt vendit ku është rrezuar helikopteri. Ndërkohë i është kërkuar KFOR-it të Kosovës të ndërhyjë me helikopterët e tij për të shpëtuar jetët që mund të jenë në rrezik, pasi terreni i thyer nuk mundëson kërkimin në këmbë. Edhe Rinasi konfirmoi rrëzimin e helikopterit. Ndërkohë nuk dihet numri i personave në helikopter. Policia e Shkodrës është mobilizuar për gjetjen e helikopterit. Janë ngritur grupe kërkimi për të vepruar në zonat e thella të Dukagjinit, ku mendohet të këtë rënë helikopteri. Një tjetër pistë hetimi është edhe ajo e rënies së helikopterit në Malin e Zi, edhe kjo pjesë e zonës së Dukagjinit. Ndërsa burime nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë thanë se helikopteri mund të kishte rënë mbi Jezercë. 4 helikopterë u nisën për gjetjen e tij. Drejt helikopterit të rrezuar u nisën 3 helikopterë të Forcave te Armatosura dhe një mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë. Banorët rrëfejnë se kanë parë helikopterin të rrëzohej. Ndërsa janë të paqarta shkaqet e aksidentit në Veri të vendit. U tha në edicionet informative se helikopteri dyshohet se vinte nga Bosnja.
5 Mars 2008