E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH-i, i pakënaqur me rritjen e çmimit të energjisë

Kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, është shprehur publikisht përpara mediave se ai është i pakënaqur me rritjen më të fundit të çmimit të energjisë të bërë nga ERE. Gjatë një kontakti me mediat ai jo vetëm që ka shprehur pakënaqësitë dhe rezervat e tij në lidhje me vendimin më të fundit të ERE-s, por ka kërkuar një rritje të re të çmimit të energjisë. Bojaxhi ka shtuar më tej se “kërkesën do t’ia parashtrojë Entit Rregullator të Energjisë, në pritje të një rritjeje të re të çmimit”. Sipas Bojaxhiut, ERE duhet që më parë të njoftojë zyrtarisht KESH-in se përse vendosi tarifat aktuale të energjisë dhe jo të tjera, më të larta. Ai e argumentoi këtë me faktin se me çmimin aktual ulet interesi i investitorëve të huaj për privatizimin e KESH-it. Ndërkohë OST-ja vazhdon punën në zbatimin e një projekti, i cili parashikon ndërtimin e nënstacionit elektrik 220 kilovolt në Koplik, rehabilitimin e linjave 110 kilovolt të rrethit të Shkodrës, si dhe në dy nënstacionet elektrike në Bushat dhe Vaun e Dejës. Projekti kap vlerën 10,9 milionë euro, kredi kjo e dhënë nga BEI, që po zbatohet nga kompania kroate "Konçar". Projekti synon përmirësimin dhe furnizimin me energji në rrethet Shkodër dhe Malësi e Madhe, ku në përfundim të tij parashikohet rritja e sigurisë së transmetimit të energjisë elektrike.

5 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›