Viktima e gjetur tek Ambasada Jugosllave mund të jetë ekzekutuar
Tiranë - Policia ka identifikuar trupin e kufomës së gjetur sot në mëngjes tek Ambasada Jugosllave. Sipas burimeve të policisë mësohet se bëhet fjalë për gjetjen e trupit të viktimës Gëzim Shullani, 50 vjeç, nga qyteti i Durrësit. Sipas uniformave blu, viktima është goditur në kokë më mjete të forta çka i ka shkaktuar edhe vdekjen. Në lidhje me këtë ngjarje hipotezat e para ishin për një vdekje të shkaktuar nga ndonjë përplasje. Ndërkohë, pas kërkimeve të mëtejshme, burime të policisë së Tiranës thonë se tashmë hetimet janë përqendruar për të zbuluar një vrasje të mundshme. Nisur nga një dyshim i tillë, efektivat policore kanë nisur të kontaktojnë me familjarët e viktimës 50-vjeçar për ndonjë konflikt të mundshëm për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Grupet hetimore, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes tashmë kanë nisur të mbledhin fakte të tjera, të cilat mund të çojnë në gjetjen e autorit të vrasjes së dyshuar dhe në zbardhjen e motiveve të ngjarjes.
5 Mars 2008