Shqiptari plagos me sqepar kolegun
Një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën Xania të ishullit të Kretës. Një emigrant shqiptar goditi në kokë me sqepar shokun e tij të punës, një shtetas grek. Sipas policisë lokale, ngjarja ndodhi në fshatin Akumia të Hanias. Autori i ngjarjes, një 33-vjeçar nga Shqipëria, u zu fillimisht me fjalë me shokun e tij të punës, sepse ky i fundit e fyente gjithmonë për origjinën e tij shqiptare. "Edhe pse i kisha thënë gjithmonë se nuk doja të më fyente për origjinën time, ai vazhdonte edhe më shumë", u ka thënë policëve emigranti shqiptar, në kohën që është dorëzuar vetë tek organet e rendit. Ai rrëfeu detajet e krimit. "Pasi u zumë dhe më shtyu, duke sharë familjen time, nuk munda dot të duroja më, ndaj e godita në kokë me sqepar", deklaroi ai. I dëmtuari 39 vjeç, babai i dy fëmijëve, u transportua për në spitalin universitar të Iraklios në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, madje mjekët thonë se ka pak gjasa që ai të shpëtojë. Ndërkohë, banorë grekë të zonës kanë kërkuar dënimin maksimal të autorit. Madje, disa prej tyre kanë tentuar të hyjnë me forcë në rajonin e policisë për të marrë hak ndaj autorit, çka i detyroi organet e policisë ta transferojnë me urgjencë në një tjetër komisariat. Për arsye sigurie, familjarët e autorit të krimit janë larguar nga kjo zonë.