E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteret e dinastisë së Pjon Jangut

Qeveria e Koresë së Veriut është një qeveri
gjigante dhe kriminale. Sundimtarët e
saj që janë një ndërthurje mes liderit
komunist, Presidentit dhe monarkut,
por me hijen e një zoti të padiskutueshëm,
nxjerrin para nga shitja e opiumit dhe
drejtimi i tregut të zi të teknologjisë së armatimit,
duke u shitur teknologji, raketa dhe materiale të
tjera luftarake vendeve të tilla si Siria, apo Pakistani.
Gjithashtu, dihet se Koreja e Veriut ndërsa
predikon komunizmin përfiton jashtëzakonisht
shumë nga falsifikimi i parave, apo i letërnjoftimeve
të vendeve të ndryshme. Ndoshta sa u tha
më sipër mund të jetë disi e ekzagjeruar, por nuk
ka dyshim që qeveria e Pjonjangut është jashtëzakonisht
e pasur. Ndërkohë, një e treta e popullsisë
ëndërron për një tas oriz, pushtetarët vjelin çdo
ditë pasuritë e panumërta të vendit ndër të cilat
është edhe ari. Pyetja është ku shkon gjithë ai ar?
Trashëgimia, apo përcjellja e pushtetit është
një çështje shumë e ndërlikuar në shtetet totalitare.
Në rastin e Koresë së Veriut, çdo gjë që ndodh
brenda mureve të pallateve qeveritare në Pjonjang
mbështillet me një tis misteri dhe sekreti absolut.
Ajo çka ndodh brenda këtyre mureve, sidomos
tani kur bëhet fjalë për zëvendësimin e liderit
Kim Jong Il, që thuhet se ka kancer në pankreas,
ka ngjallur interes të veçantë të fqinjëve të Koresë,
por edhe vendeve më të largëta e të fuqishme, pasi
njeriu që do të marrë pushtetin do të jetë shumë
i fuqishëm dhe i pasur jo vetëm me ar, por edhe
me armë bërthamore dhe me kërcënimin për t‘i
lëshuar ato në Hawai, apo edhe në Tokio. Sundimtari
kryesor, Kim Jong Il duket se është në hapat
e fundit të pushtetit. Një vit më parë vuajti nga
një infarkt në zemër dhe tani thuhet se ka edhe
kancer në pankreas. Kim është 68 vjeç, shfaqet
gjithnjë e më rrallë në publik dhe pamja e tij është
e brishtë, e mpakur dhe e plakur. Pavarësisht asaj
që është përfolur për paraardhësin e mundshëm
të sundimtarit, duket se asnjë vendim i formës
së prerë nuk është marrë ende. Madje, edhe për
shëndetin e tij ka shumë pikëpyetje.
Sipas disa burimeve të shërbimeve sekrete që
duan të mbeten anonime, ndoshta Kim nuk është
aq i sëmurë sa e bëjnë dhe lajmet për gjendjen e tij
të rëndë shëndetësore ai i përhap për të tërhequr
vëmendjen e botës dhe për t‘u bërë interesant.
Por për shkak të moshës ai pritet që herët a vonë
t‘ia përcjellë pushtetin dhe fuqinë dikujt tjetër,
një paraardhësi biologjik. Bëhet fjalë për tre
djemtë e tij, të cilët me sa thuhet, nuk janë asnjëri
i gatshëm për të marrë në dorë në këtë moment
postin e të atit. Ajo çka dihet për ta është se nuk
janë sadistë e me shpirt kriminelësh si djemtë e
Sadam Huseinit Uday dhe Qusay, që iu vranë në
fillim të luftës së Irakut. Nga babai i tyre duket se
kanë trashëguar ato pak gjëra pozitive që ai ka si
për shembull dashurinë për kinematografinë e
veçanërisht atë perëndimore. Kim, i cili ndryshe
thirret në publik edhe "Lideri i dashur" ka
deklaruar se ka në shtëpinë e tij 20 mijë filma
dhe se një herë e kishte instruktuar ambasadorin
e tij në Kombet e Bashkuara që t‘i gjente dhe t‘i
sillte një kopje të filmit "Vdekje e papritur" me
Van Damin. Madje, thuhet se aktori i filmave
me arte raciale, që është francez është heroi i
preferuar i Kim. Bijtë e sundimtarit të Koresë së
Veriut thuhet se janë shumë të dhënë pas veshjeve
shik dhe adhurojnë "Armanin", por u pëlqen edhe
basketbolli, veçanërisht kampionati amerikan.
Ndër këngëtarët e huaj, ata veçojnë Eric Clapton
dhe janë të çmendur edhe pas "Disneyland". Djali
i tretë i Kim Jong Il, Kim Jong Un është edhe më
misteriozi dhe i ndryshëm nga dy vëllezërit e
tij të parë. Ndoshta misteri me të cilin ai është
mbështjellë që kur ka qenë i vogël mund të ketë
të bëjë me mbrojtjen e tij, pasi ai mund të jetë
përzgjedhur qysh kohë më parë si zëvendësuesi
i mundshëm dhe i ardhshëm i Kim Jong Il. Por
aftësia e tij për të marrë dhe drejtuar një pushtet,
një vend diktatorial që cilësohet ndërkombëtarisht
si një armik i kombeve, sipas disa analistëve
lë për të dëshiruar. Në një kërkim të sajin, revista
e përjavshme "Newsweek" ka "hetuar" për të tre
djemtë e "liderit të dashur". Nëse nuk do të bëhej
fjala për tre persona që mund të marrin në duar
një pushtet të jashtëzakonshëm, historitë e tyre
mund të ngjanin mandej edhe komike.
Që të tre janë të ndërgjegjshëm për rolin që
mund të kenë një ditë, që është ai i drejtuesit të
Koresë së Veriut. Patriarku "Lideri i Madh", Kim
Il Sung e fitoi legjitimitetin e tij përmes luftës
kundër imperialistëve fillimisht atyre japonezë
e më pas amerikanë në Luftën e Koresë. I biri i
Kim Il Sung, Kim Jong Il "Lideri i Dashur" mësoi
si t‘i shmangte rivalët e tij gjatë një dhjetëvjeçari
në pushtet pranë të atit, kohë gjatë së cilës ia doli
me sukses të eliminonte edhe gjysmëvëllain e tij,
Pyong Il, që ishte ambasador në Finlandë. Në vitin
1998, 4 vjet pas vdekjes së të atit, Kim e përforcoi
shumë pushtetin e tij përmes një politike të ashpër
policore në vend.
Ai forcoi shumë ushtrinë dhe mbështeti me
para e favore gjeneralët që kishin në dorë situatën.
Ata u bënë të pasur dhe të fuqishëm, por tërësisht
të varur nga Kim Jing Il. Fëmijët e Kim Jong Il e
kanë kryer një pjesë të arsimit elementar në kolegjet
e Zvicrës. Ata shkonin në shkollë me emra
të rremë dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se
fëmijët ishin djemtë e njeriut më të fuqishëm të
Koresë së Veriut. Djali i mesëm i liderit pëlqente
shumë poezitë dhe madje së fundi është gjetur
një e tillë në të cilën ai ëndërron një botë pa
bomba bërthamore, pa njerëz që pinë drogë
dhe pa terroristë. Madje, sipas djalit, ata do
të vriteshin të gjithë nga Zhan Klod Vandam.
Një djalë i tillë dukej shumë shpirtbutë për të
drejtuar një vend diktatorial. Kjo bëri që nevojat,
vëmendja e të atit dhe establishmentit të
përqendrohej te djali i madh i Kim Jong Il, Kim
Jong Nam. Ai u konsiderua pasardhësi i mundshëm
deri në vitin 2001, kur u ndalua në Tokio,
sepse ishte duke udhëtuar me një pasaportë
false dominikane. Vizita e tij në Tokio kishte një
qëllim shumë "fisnik": vizitën në Disneylandin e
Japonisë. Jong Nam është mbi peshë dhe mendohet
se është diabetik dhe duket se ka shprehur
dëshirën vetë se nuk është i interesuar që
të merret me politikë. Interesi i tij i madh është
bërja e pazarit dhe veshjet shik i pëlqen që t‘i
rreshtojë në gardërobën e tij kostumet "Armani"
apo këmishat "Polo Ralph Lauren". Tani mbetet
djali i tretë, për të cilin ka shumë pak informacion.
Ai quhet Kim Jong Un. Sipas burimeve të
qeverisë amerikane, mendohet se edhe ai është
shkolluar në Zvicër në një moshë të re, por nuk
dihet se ku dhe kur. Ish-shefi i kuzhinës së Kim
Jong Ilit, një japonez që dezertoi nga Koreja në
vitin 2001, thotë se Kim Jong Il ka qenë që në fillim
favorit i djalit të vogël, sepse ai ishte mendërisht
më i mprehtë dhe në shumë gjëra i ngjante më
shumë të atit, gjithmonë krahasuar me djemtë e
tjerë. "Jong Chol është e pamundur që të bëhet
një lider i mirë, sepse ai është shumë femëror e
zemërbutë", mësohet t‘i ketë thënë vite më parë
Kim Jong Il një mikeje dhe bashkëpunëtori të
afërm, ndërsa po diskutonin për pasardhësin
e tij. Ndërsa për djalin e vogël ishte shprehur
se ai i ngjante në shumë aspekte dhe se ishte i
vetmi nga të tre djemtë që mund të udhëhiqte
një vend të madh, të pasur e problematik si
Koreja e Veriut. Kur ishte 7 vjeç, i ati e kishte
lejuar që të ngiste një "Mercedes",
i ka dhënë alkool që të vogël dhe
e mbante shpesh veshur me rroba
ushtarake, edhe në ditët e festave.
Në moshën 12-vjeçare mësohet
se e urdhëroi të motrën që të mos
i thërriste më vëlla, por "gjeneral".
Megjithatë, deklaratat e ish-shefit
të kuzhinës mund të mos jenë të
sakta, sepse ai tashmë e ka shndërruar
në një biznes personal të
dhënit e intervistave në gazeta të
ndryshme për familjen e parë të
Koresë së Veriut. Por pa burimin e
ish-kuzhinierit, mundësitë e marrjes
së informacioneve veçanërisht
për djalin e vogël janë shumë të
pakta. Sipas një teorie tjetër, që
ka dalë në "The Washington Post"
Jong Un mund të mos ketë qenë
fare për shkollim në Zvicër, por në
Gjermani, por edhe një informacion
i tillë mbetet thjesht i pambështetur.
Ajo çka është e vërtetuar është
se si Jong Un, ashtu edhe vëllai i tij
i madh, kanë studiuar më pas në
Universitetin Ushtarak, Kim Il Sung.
Këtë shkollë ata e bënë për të çrrënjosur
çdo ide, apo mendim liberal
që mund t‘u kishte lulëzuar ndërsa
studionin jashtë shtetit. Gjithashtu, në këtë
universitet ata kanë marrë mësimet e duhura
për qeverisjen në një ambient shumë të vështirë
të izoluar e dredharak siç është ambienti në
sferat e larta të pushtetit në Pjon Jang. Por
tashëm mes agjencive të ndryshme të shërbimit
inteligjent në botë duket se është arritur në një
konsensus të përbashkët për faktin se mes të tre
djemve të Kim Jong Ilit, djali i vogël ka shanset
më të mëdha për t‘u bërë pasardhësi i të atit në
pushtet. Jong Un është 26 vjeç tashmë dhe ka
filluar të thirret nga mbështetësit "Shoku brilant".
Këtë mendim në lidhje me djalin e vogël,
duket se ka edhe vëllai i tij i madh, Jong Nam.
Ai ka thënë së fundi se beson se i ati ka zgjedhur
për pasues vëllain e vogël dhe atij nuk i mbetet
veçse t‘i bindet zgjedhjes së të atit. Ndërkohë,
Jong Un konsiderohet si një gjeni në arte dhe
filozofi dhe madje i është caktuar edhe detyra
e drejtimit të skuadrës së futbollit të Koresë së
Veriut që do të marrë pjesë për herë të parë në
Kampionatin Botëror të Futbollit në 2010, për
herë të parë që nga viti 1966.
"Lideri i dashur" mund të mos jetë ashtu
sikundër mendohet në shtratin e vdekjes, por
një gjë është e sigurt që ai është bërë më i inatçor
dhe më i padurueshëm. Sipas drejtorit të
Institutit për Sigurinë Strategjike në Tokio. Kim
nxitoi për të ndërmarrë një provë bërthamore
në muajin maj, një veprim që ngjalli një kritikë
të menjëhershme dhe njëzëri të komunitetit
ndërkombëtar, madje për herë të parë u kritikua
edhe nga Moska dhe Pekini, që zakonisht
i ka pasur aleatë. Për disa kjo ishte shprehje e
një aventurizmi të ri të një lideri të sëmurë që
e ka humbur toruan. Kur të ikë, Kim Jiong Il do
të lerë pas një vend të rrethuar nga armiq. Kur
një diplomate amerikane është takuar në vitin
2000 me Kim Jong Il apo pati përshtypjen se
lideri i Pjonjangut ishte një person inteligjent,
elokuent dhe me vetëbesim. Ai kishte shumë
njohuri për gjëra të ndryshme dhe ishte e përgatitur.
Për sa i përket 26-vjeçarit që po përgatitet
të marrë pushtetin është e vështirë që të
mendohet se ai do të ketë vetëbesimin e të atit.
Në një shoqëri konfuciane që respekton moshën
dhe mençurinë, ndoshta derisa, Jong Un të jetë
gati pushtetin do ta marrë në dorë një regjent.
Kandidatët më me shumë shans për një gjë të
tillë janë Chang Song Taek, që është gjykuar më
parë për korrupsion dhe për faktin se ka qenë një
mik i liderit është falur dhe aktualisht gëzon një
pushtet shumë të madh, pasi kontrollon pjesën
më të madhe të tregtisë së arit në vend.
Por për sa kohë që "Lideri i dashur" është gjallë,
gjeneralët e tij do ta mbajnë mirë edhe me djalin
e tretë. Por me të ikur babai, ndoshta gjërat nuk
do të jenë aq të thjeshta për vogëlushin Jong Un,
pasi beteja për zotërimin e armëve bërthamore
dhe sasive të arit mund të jetë e përgjakshme dhe
shumë e ashpër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›