E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Kushtetuesja rrëzon familjarët

Pas 26 të vrarëve nga shpërthimi i
Gërdecit, familjarët e viktimave të
tragjedisë së 15 marsit humbasin në
Kushtetuese të drejtën për të ndjekur
procesin ndaj personave të akuzuar
prej prokurorisë. Gjykata Kushtetuese
ka vendosur të mos e kalojë çështjen
në seancë penale, menjëherë sapo 17
familjarë të viktimave iu drejtuan për
t‘u ankuar mbi vendimin e Gjykatës së
Lartë, që i veçonte ata nga procesi, duke
i dërguar në një proces më vete civil. Në
vendimin e Kolegjit, Gjykata Kushtetuese
shprehet se ndodhet përpara një vendimi
të ndërmjetëm që nuk ka të bëjë me një
gjykim përfundimtar dhe në këto kushte,
kur gjykata nuk ka nisur hetimin gjyqësor,
pretendimet e kërkuesve nuk gjejnë
pasqyrim në aktet e kësaj çështjeje.
E kontaktuar në telefon nga "Top
Channel", avokatja e familjarëve të
tragjedisë, Blerta Kraja, pohoi se pas
këtij vendimi familjarët e tragjedisë do
t‘i drejtohen Gjykatës së Strasburgut,
pasi gjykatat shqiptare kanë precedentë
të mëparshëm, ku pala e dëmtuar ka
të drejtë ta ndjekë procesin gjyqësor
ndaj të akuzuarve. Duket se Gjykata
Kushtetuese ka "nxituar" për të marrë
një vendim, pasi informacioneve se në
Gjykatën e Tiranës do të kërkohej pezullimi
i procesit. Përgjigjja e Kushtetueses
ishte e prerë: ne nuk merremi me të tilla
gjëra. Më herët familjarët e tragjedisë
paditën ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir
Mediun, Mihal Delijorgjin, "AlbaDemil"
dhe kompaninë MEICO, duke kërkuar 20
milionë lekë dëmshpërblim për çdo jetë
të humbur në Gërdec.
Por padia e tyre nuk u bashkëngjit
me këtë proces, duke përfunduar në
Gjykatën Civile të Tiranës. Në Gjykatën
Penale të Tiranës ndodhen nën akuzë
edhe 29 të pandehur të tjerë, me një
seancë që shpresohet të zhvillohet këtë
javë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka për
të gjykuar vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes,
Fatmir Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›