“Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri”...
12/03/2009 Në prag të 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit lexuesit mund të kenë në duar një libër mbi problemet e trafikut të armëve në Shqipëri. “Misteret e trafikut të armëve në Shqipëri” është libri i autorëve Eduart Abazi, Zyhdi Kroi e Kujtim Boriçi, i prezantuar të martën në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Autorët rimarrin temën e trafikimit të armëve, tashmë objekt hetimi i drejtësisë, dhe me fakte e dokumente hedhin dritë mbi këtë fenomen. Gjendja e armatimit në Shqipëri, që nga çlirimi, kur numëroheshin 80 mijë armë, për të vijuar me vitet e armatimit në vitet 1977-1982, inventari i armatimeve para viteve ’90, ’97-a “e famshme,“kur u armatos gati krejt popullsia civile, trafiqet e fshehta, marrëveshjet, demontimet, deri tek tragjedia e një viti më parë në Gërdec dhe rreziku që vjen nga të tjera qendra, ku ruhen municionet, shtjellohen në këtë libër përmes të dhënash konkrete.